Tifozët mezi po e presin shortin e fazës së eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve, që hidhet të hënën e javës që po vije nga ora 12:00.
Por, nëse një barazim i simuluar për raundin e 16-të është diçka për të marrë për bazë, ky mund të jetë një short i mirë për disa nga klubet e mëdha.
Klubet që kanë përfunduar në vendin e parë në fazën e grupeve, do të takohen me ato që janë të dytat, por as në këtë rreth nuk lejohen sfida mes skuadrave të të njëjtave liga.
Përballja më e madhe e këtij shorti të simuluar do të ishte ajo në mes të Liverpoolit dhe Bayern Munichut.
Takim interesant do të ishte edhe ai në mes të Interit dhe Manchester Cityt, me dy skuadrat që janë aktualisht në një formë të mirë.
Një tjetër derbi do ishte edhe ai në mes të Milanit dhe Real Madridit, me këta të fundit që shihen si favorit absolut në letër.
Përballje e nxehtë do të ishte edhe ajo në mes të Borussia Dortmundit dhe Napolit, derisa skuadrat e tjera të mëdha do kishin ndeshje më të lehta. /Telegrafi/