Sëmundja e shkaktuar nga varianti Omicron është mesatarisht rreth dy ditë më e shkurtër se varianti delta – sipas një studimi të madh të kryer mes britanikëve të vaksinuar, të cilët regjistruan simptomat e tyre në aplikacionin për COVID.
“Një paraqitje më e shkurtër e simptomave sugjeron, ndërsa pritet konfirmimi i studimit të ngarkesës virale, se periudha e infektimit mund të jetë më e shkurtër, duke ndikuar në politikat shëndetësore në vendin e punës dhe udhëzimet e shëndetit publik”, shkruajnë autorët e studimit.
Bazuar në aplikacionin ‘Zoe COVID Study’, i cili mbledh të dhëna për simptomat e raportuara nga vetë pacientët, studimi zbuloi gjithashtu se infeksioni simptomatik i Omicron kishte 25 për qind më pak gjasa të çonte në shtrimin në spital në krahasim me variantin Delta.
Edhe pse dihet se Omicron në parim shkakton sëmundje më të lehta, studimi është unik në analizën e tij të detajuar dhe në faktin se ai u krye vetëm midis vullnetarëve të vaksinuar – transmeton KosovaPress.
Studiuesit nga Kolegji Mbretëror në Londër analizuan dy grupe të dhënash: nga 1 qershori deri më 27 nëntor 2021, kur varianti delta ishte përgjegjës për më shumë se 70 për qind të rasteve dhe nga 20 dhjetori 2021 deri më 17 janar 2022, kur Omicron mbizotëronte në më shumë se 70 për qind të rasteve.
Pacientët (rreth 5.000 në secilin grup) u krahasuan me një person të të njëjtës moshë, gjini dhe dozë vaksinimi në grupin tjetër.
Kohëzgjatja më e shkurtër e simptomave të Omicron në krahasim me delta ishte më e theksuar tek ata që morën tri doza të vaksinës. Simptomat zgjatën mesatarisht 7.7 ditë gjatë periudhës së dominuar nga delta dhe vetëm 4.4 ditë, ose 3.3 ditë më pak, gjatë periudhës Omicron.
Ndër ata që morën dy doza të vaksinës, simptomat Delta zgjatën 9.6 ditë dhe Omicron 8.3 ditë, një ndryshim prej vetëm 1.3 ditësh.
Studimi u botua në revistën mjekësore The Lancet dhe do të prezantohet në Kongresin Evropian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive më vonë këtë muaj.