Site icon Telegrafi

Sigurimet shënuan rritje për 5.3 për qind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sektori i sigurimeve, që përfaqëson rreth 3.0 për qind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në mars 2017 shënoi rritje vjetore më të ngadalësuar prej 5.3 për qind.

“Një ndër kontribuesit kryesor në rritjen e aseteve të sektorit të sigurimeve ishte rritja e parave të gatshme të mbajtura në bankat komerciale, që ka pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e aseteve të kompanive të sigurimit”, thuhet në raportin e Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë të BQK-së, raporton RTKlive.

Sipas BQK-së, sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 89.8 për qind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 4.9 për qind. Ndërsa, sigurimet ‘jetë’, që përbëjnë pjesën e mbetur të aseteve, shënuan rritje vjetore prej 8.8 për qind.

“Deri në mars 2017, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 19.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 1.7 për qind. Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit jo-jetë, të cilat përfaqësojnë 96.7 për qind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 18.7 milionë euro në mars 2017, që tregon për një rritje vjetore prej 2.0 për qind. Ndërsa, vlera e primeve të shkruara nga sigurimi jetë arriti vlerën 641.5 mijë euro, duke shënuar një rënie vjetore prej 7.2 për qind”, ka njoftuar BQK-ja.

Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve, ku përfshihen dëmet e kompanive të sigurimit dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), shënuan rritje në 11.3 milionë euro në TM1 2017 (8.5 milionë euro në TM1 2016).

‘Rritja më e vogël e primeve të pranuara gjatë kësaj periudhe krahas rritjes më të lartë të dëmeve të paguara ndikoi në rritjen e raportit të gjithsej dëmeve të paguara ndaj primeve të shkruara”, thuhet në raportin e Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë të BQK-së.

Exit mobile version