Gjatë 11 muajve të parë të vitit 2016, të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë krijuan një humbje prej hiç më pak se 12.1 milionë euro. Po ashtu sigurimet vitin 2015 e kishin mbyllur me 7.7 milionë euro humbje, derisa vitin 2014 më 2.5 milionë euro humbje
Viti që e lamë pas, ka qenë i rëndë për kompanitë e sigurimeve në Kosovë, ku këto të gjitha së bashku vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2016 krijuan një humbje prej hiç më pak se 12.1 milionë euro.
Bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas, 15 kompanitë e sigurimeve sa operojnë në vendin tonë kishin pasur të hyra prej 54 milionë e 700 mijë euro, shkruan Zëri.
Gjatë kësaj periudhë kohore sipas BQK-së dëmet e ndodhura kanë qenë 34.3 milionë euro. Gjatë periudhës së njëjtë kohore shpenzimet operative të kompanive të sigurimeve kishin arritur në 32.5 milionë euro.
Gjithnjë duke u bazuar në raporte zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet qartë se as viti 2015 nuk ka qenë pozitiv për kompanitë e sigurimeve në vendin tonë, ku këto të gjitha së bashku kishin krijuar një humbje prej 7.7 milionë euro, e humbje dukshëm më e vogël prej 2.5 milionë ishte regjistruar në fund të vitit 2014. /Telegrafi/