Site icon Telegrafi

Si votuan turqit që jetojnë jashtë vendit në balotazhin e zgjedhjeve të Turqisë?

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, ka dalë fitues në zgjedhjet e balotazhit të mbajtura më 28 maj në Turqi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara si vendase ashtu edhe ndërkombëtare, Erdogan siguroi 52.16 për qind të votave dhe kundërshtari Kemal Kiliçdaroglu mori 47.84 për qind.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për 20 vjet, tani do të shërbejë edhe një mandat pesëvjeçar.

Por cilat janë rezultatet e zgjedhjeve, brenda dhe jashtë Turqisë?

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Erdogan fitoi 52 nga 81 provincat e vendit, një më shumë se në raundin e parë.

Kiliçdaroglu përsëriti performancën e tij në raundin e parë duke fituar qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin dhe kryeqytetin, Ankaranë.

Me 85.7 për qind, pjesëmarrja e votuesve vendas ishte rreth 3 për qind më e ulët se në raundin e parë më 14 maj.

Lexo po ashtu Konfirmohet zyrtarisht: Erdogan është fitues i zgjedhjeve në Turqi

Ndërsa vetëm pak më shumë se 1.7 milion nga 3.4 milionë turqit e kualifikuar që jetojnë jashtë votuan në balotazhin që u zhvillua nga 20 deri më 24 maj.

Kështu, me 95 për qind të hapura të kutive të votimit, Erdogan mori 59.4 për qind të votave ndërkombëtare, ndërsa Kiliçdaroglu 40.6 për qind.

Në këtë drejtim, shkruan Al Jazeera, pjesa më e madhe e votave ndërkombëtare të Erdoganit erdhën nga qytetarët që jetojnë në vende të mëdha të diasporës në Evropë, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Holandën, si dhe në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Lexo po ashtu Kështu u festua fitorja e Erdoganit në vendin që është “shtëpia e diasporës më të madhe turke” në botë

Në Gjermani, ku gjenden 1.5 milion votues me të drejtë vote, Erdogan fitoi rreth 67 për qind të votave.

Me 95 për qind, votuesit turq në Liban përfaqësonin përqindjen më të lartë të votave të Erdoganit, të ndjekur nga Jordania (90 për qind) dhe Egjipti (78 për qind).

Ndërsa sa i përket Kiliçdaroglu, ai dominoi në shumë pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut ku siguroi më shumë se 80 për qind të votave në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar si dhe shumë pjesë të Evropës Jugore dhe Lindore. /Telegrafi/

Exit mobile version