Oficeri i krimeve në Durrës, Alfred Lila, zbuloi detaje të pathëna nga mënyra si policia zbuloi se vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta nuk e kishte kryer e bija Hygerta Meta.
Oficeri tha se në dëshminë e saj fillestare, vajza tha se babain e kishte vrarë dhe groposur në kasolle. Por sipas tij kjo pistë u rrëzua pasi efektivët gjetën një predhë brenda ambienteve të banesës.
Pas gjetjes së provës së re vajza u thye dhe zbuloi dinamikën e ngjarjes që kishte ndodhur në kuzhinë.
Sipas oficerit ishte Hysen Meta, djali i madh që kishte qëlluar mbi të atin, ndërkohë që dali i vogël dhe motra kishin ndihmuar në fshehjen e gjurmëve.
“Në banesë u gjet një provë tjetër shumë e rëndësishme e cila hodhi poshtë alibinë e vajzës që ngjarja kishte ndodhur te kasollja. Dhe me këmbnguljen tonë, duke punuar me të dyshuarin u arrit të provohej fakti që ngjarja kishte ndodhur brenda në banesë në kuzhinën e banesës. Vrasjen e kishte realizuar Hyseni me një armë pa leje që mbante babai i tij. Ishte një predhë që u gjet në banesë që na bëri të mendonim se vrasja nuk u krye te kasollja siç tha vajza, por në banesë”, tha ai.
Sakaq oficeri shtoi se dyshimet që mund të kishim një krim në familje lindën kur panë lëvizjen e makinës dhe kur morën tabulatet e telefonave të fëmijëve.