Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), e përkrahur nga USAID (Kosovo Compete Activity), në kuadër të projektit: “Rritja e zhvillimit të aftësive në sektorin e përpunimit të ushqimit në Kosovë”, është duke organizuar një trajnim në fushën e përpunimit të ushqimit me tema të ndryshme të lidhura me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit dhe zhvillimin e produktit
Kjo iniciativë ka për qëllim të ngritë vetëdijen e bizneseve që merren me përpunimin e ushqimit si dhe punonjësve të organizatës sonë në lidhje me teknologjitë e fundit dhe metodat e efektshme për ruajtjen dhe përpunimin e frutave dhe perimeve.
Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të kenë mundësinë të ndjekin për së afërmi ekspertët si:
Nicolas Tsisios – Teknolog i ushqimit / Zhvillues i produkteve / ekspert i paketimit,- Fitues I çmimeve ndërkombëtare prestigjioze te NPD në Mbretërinë e Bashkuar.
Lisanne van der Kooi – Eksperte e specializuar në zhvillimin e produktit dhe procesit nga koncepti deri në lansim. Mban një diplomë Master në Teknologjinë Ushqimore nga një prej universiteteve më të mira të ushqimit në botë Wageningen Universiteit en Researchcentrum. Tani punon si shkencëtar i lartë i ushqimit Food Scientist For Hire
Franciscus Smeltink – Teknolog i ushqimit / Zhvillues i produkteve
Temat kryesore që ekspertët janë duke ligjëruar në trajnim është rëndësia e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit si dhe zhvillimi i produktit. Ata po vënë në pah rreziqet potenciale të kontaminimit të ushqimit dhe po prezantojnë metoda për të parandaluar ato. Këta ekspert po vënë theksin mbi përdorimi i standardeve të higjienës, trajtimi i duhur i ushqimit dhe mbikëqyrjen e proceseve të prodhimit.
“Gjithashtu po prezantohen fazat kryesore të zhvillimit të një produkti të përpunuar nga frutat dhe perimet, duke përfshirë zgjedhjen e llojeve të frutave dhe perimeve të përdorura, përzierjen e tyre, procesin e gatimit, testimin e produktit dhe finalizimin e tij. Si të identifikojmë llojet e ushqimit, si të lexojmë etiketat dhe informacionin e rëndësishëm që ato përfshijnë janë disa përgjigje të tjera që po japin këta ekspert”, thuhet në njoftim.
Një tjetër temë e rëndësishme që trajtohet është teknologjia e ruajtjes së ushqimit për të përmirësuar cilësinë e frutave dhe perimeve të freskëta.
“Ata po shpjegojnë teknikat moderne të ruajtjes, duke përfshirë kontrollin e temperaturës, atmosferën modifikuese dhe përdorimin e ambalazhimit të specializuar. Këto teknologji do të ndihmojnë në parandalimin e humbjeve të ushqimit dhe në ruajtjen e freskisë së produkteve për një kohë më të gjatë.
Vëmendje e veçantë po i jepet edhe teknikave të ruajtjes së frutave dhe perimeve. Ai do të përfshijë informacione rreth faza të ndryshme të ruajtjes së tyre, duke përfshirë depozitimin, prerjen, paketimin dhe ruajtjen e duhur”, thuhet më tej në njoftim.
Raporti në mes të metodave dhe makinave të përdorura për të përpunuar fruta dhe perime dhe teknologjive të avancuara janë gjithashtu tema të ndjeshme për të cilat kanë ofruar përgjigje teorike dhe praktike këta ekspert.
Në fund, trajnimi është fokusuar në sigurinë ushqimore dhe cilësinë e produkteve të përpunuara të frutave dhe perimeve. Ata do të tregojnë për rreziqet potenciale për shëndetin në lidhje me produkte të ndryshme të përpunuara dhe do të paraqesin metodat dhe praktikat më të mira për të minimizuar këto rreziqe. /Telegrafi/