Është shtyrë shpallja e aktgjykimit ndaj avokatit Tomë Gashi, i cili akuzohet për veprën penale ‘‘shkelje e fshehtësisë së procedurës’’ gjatë gjykimit të Azem Sylës.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit pritej të mbahej sot në ora 09:00. Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte pasi gjyqtari i rastit Eroll Gashi, tha se gjykata nuk ka vendosur akoma për vendimin dhe meqenëse rasti është mediatik, shpallja do të bëhet nesër pasi sipas tij, ligji ia lejon që tre ditë ta mendojë vendimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, për këtë shtyrje do të njoftohen palët, ndërsa shpallja pritet të bëhet më 18 mars 2021, ora 09:00.Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 mars 2018, nga prokurori Blerim Igrishta, avokati Gashi më 29 prill të vitit 2016, rreth orës 10:54, pasi që paraprakisht kishte përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ku në procesverbal ishte informuar nga gjykatësi i rastit se seanca është e mbyllur dhe se duhet të ruhej si konfidencialitet ajo çfarë flitej aty, i njëjti me të dal nga seanca, pa autorizim ishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale duke iu drejtuar mjeteve me deklarata dhe duke përmendur emrin e tij në mënyrë publike.