Seanca e gjykimit për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi është shtyrë për shkak se trupi gjykues nuk ishte komplet. Në këtë seancë mungoi anëtari i këtij trupi Faik Hoxha, për arsye shëndetësore.
Seanca që nuk u mbajt është caktuar të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në seancë bashkë mbrojtësit e tyre, por mungesa e gjyqtarit Hoxha e bëri të pamundur mbajtjen e saj.
Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona.
Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.
KALLXO.com siguroi aktakuzën për vrasjen e rreshterit Gashi, ndërsa sipas saj, prokuroria dyshon se vrasja e tij është planifikuar në Brezovicë.
Në aktakuzë bëhet e ditur se për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.
Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.