Site icon Telegrafi

Shtyhet përsëri shfaqja e “Avatar 2”, Cameron: Po punojmë në katër vazhdime njëkohësisht

Vazhdimi i filmit më të shikuar të të gjitha kohërave, “Avatar”, është shtyrë përsëri dhe nuk do të shfaqet në kinema në vitin 2018, ashtu siç ishte pritur.

Këtë e ka konfirmuar regjisori i filmit, James Cameron, në një prononcim për gazetën Toronto Star.

Ai ka thënë se është duke punuar njëkohësisht në katër vazhdimet e planifikuara, prandaj data e shfaqjes së “Avatar 2” nuk është caktuar akoma.

Regjisori James Cameron dhe aktori Sam Worthington gjatë xhirimeve të “Avatar”

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se këtu punohet në disa filma. Nuk po punojmë vetëm në ‘Avatar 2’, por në ‘Avatar 2,3,4,5…’. Ky është një projekt me përmasa epike”, ka deklaruar Cameron.

Kujtojmë se filmi i zhanrit fantazi-aventurë nga viti 2009 i prodhuar nga Twentieth Century Fox, ka përfituar mbi 2.8 miliardë dollarë nga shfaqja në të gjithë botën.

Vazhdimi i dytë ishte caktuar për vitin 2014, mirëpo që atëherë është shtyrë së paku tri herë. /Telegrafi/

Exit mobile version