Site icon Telegrafi

Shtrenjtohen çmimet e prodhimeve bujqësore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi” për vitet 2015-2017 (2015=100)

Sipas metodologjisë së Eurostat-it, ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazik të indeksit nga 2010=100 në 2015=100. Për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për vitet 2015-2017 dhe për vitin bazik 2015, (2015 =100).

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma, dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe për prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Në vitin 2017, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 4.0%, krahasuar me vitin 2016. Kurse, Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.2% në vitin 2017, krahasuar me vitin 2016. Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për 3.0% për këtë periudhë.

Në vitin 2017, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 1.0%, krahasuar me vitin 2015. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 1.8% në vitin 2017, krahasuar me vitin 2015. Indeksi i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore ka rritje për 1.4% në vitin 2017, krahasuar me vitin 2015. /Telegrafi/

Exit mobile version