Site icon Telegrafi

Shteti, marrëveshje të “fshehtë” me naftëtarët

Stërzgjatja e procesit të fiskalizimit për naftëtarët kosovarë po del ta këtë mbështetjen edhe të institucioneve. Përkatësisht dy institucioneve përgjegjëse për fiskalizim – Ministrisë së Financave në krye me Avdullah Hotin e cila licencon operatorët dhe Administratës Tatimore që kryen inspektime.

Gazeta Fjala merr vesh për një takim mes këtyre dy institucioneve dhe Shoqatës se Naftëtarëve muajin e kaluar, ku të tirja palët ishin marrë vesh që të mos dënohet për një kohë asnjë naftëtarë. Konkretisht marrëveshja në heshtje kishte si qëllim që ATK të mos lëshonte gjoba deri në hyrjen në treg të operatorit të ri i cili tashme është certifikuar në Fakultetin Teknik.

Mbajtjen e këtij takimi të organizuar nga Ministria e Financave me 10 gusht, e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala naftëtarët dhe zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

‘Pas takimit në Ministrin e Financave dhe ATK-në të organizuar me 10 gusht 2016 dhe njoftimit nga shoqata e naftëtarëve, se brenda muajit Gusht do të hyjë në treg edhe një operator i ri, ATK-ja duke e vërejtur se edhe pas afatit një mujor nuk ka ndonjë informatë, se do të ketë operator te ri, kemi filluar me aktivitet për të zbatuar ligjin dhe udhëzimin i cili kërkon që të gjitha bizneset të fiskalizohen’, ka thënë zyrtarja për informim në ATK, Valentina Bytyqi.

Në fakt, inspektorët e ATK-së para këtij takimi, në fillim të muajit gusht, kishin marrë një ofenzivë kudër naftëtarëve, dhe pas kërkesës se Shoqatës se naftëtarëve tek Ministria e Financave është arritur që ATK të pushojë me gjoba.

Naftëtarët: ATK e prishi marrëveshjen

Por duke parë që operatori i ri nuk po hynte në treg, inspektorët e ATK-së këto ditë kanë nisur serish vënien e gjobave. Për mungesë të arkave fiskale, ATK se fundi ka dënuar me 4 mijë euro pompën e benzinës Italian Petrol.

Pronari i saj Bujar Shatri, ka akuzuar ATK-në se nuk doli në fjalë. Ai ka përmendur takimin e gushtit që kanë pasur mes veti dhe marrëveshjen që të mos gjobiten naftëtarët deri në hyrjen e operatorit të ri në treg.

“Muajin e kaluar kemi qenë në Ministrinë e Financave ku na ka pritë zëvendësministri. Aty ka qenë edhe drejtori i ATK-së. Zëvendës ministri ka kërkuar nga ATK që me lejuar që të certifikojnë kompania me sistemin ri dhe ATK mos te shqiptohen gjoba deri sa të hyjë në treg operatori i ri”, ka thënë Shatri për Gazetën Fjala.

Por pas një muaji inspektorët e ATK-së e dënuan Italian Petrolin. Shatri thotë të këtë qenë e papritur e gjithë kjo, pasi edhe Ministria e Financave, siç thotë ai, ka qenë në dijeni për operatorin e ri.

Bile naftëtarët këtë ‘nguti’ të ATK-së e shohin me dyshime për favore ndaj operatorit aktual në treg.
Ai shton se naftëtarët janë duke e pritur operatorin e ri, për të cilin thotë se është një kompani me renome botërore, dhe e cila do të ofroj çmime shumë më të favorshëm për fiskalizim. “10 mijë euro dëmtimi ka qenë për një pikë, kurse me këtë sistemin e ri që pritet ta sjellë kompania e re mundet me qene 4 mijë euro”, ka vazhduar Shatri.

Edhe kryetari i Shoqatës se Naftëtarëve, Fadil Beriani, këtë e sheh si trysni të ATK-së tek naftëtarët. Ai ka kërkuar nga ATK që t’i ndalë gjobat dhe të lejoj konkurrencën e lirë.

“Operatori i ri ka hy në treg dhe nuk ka nevojë të bëhet trysni tek pikat e karburantit. Pikat e karburantit janë të gjitha për rifiskalizim dhe e pranojnë liberalizimin dhe hapjen e tregut”, ka thënë.
Sipas Berjanit, tash më kompania e re është certifikuar në Fakultetin Teknik dhe pritet së shpejti t’i jepet licenca.

ATK: Më nuk presim
Zyrtarja për informim në ATK, Valentin Gara, ka pranuar se qysh me 29 qershor 2015 kur është paraqitur një operatori i ri për futje në treg, ATK ka pas mirëkuptim ndaj naftëtarëve. Mirëpo, meqë operatori nuk ka hyrë ende në treg, ATK ka vazhduar me gjoba.

“Pas disa kërkesave të ATK-së, ndaj këtyre bizneseve që të fiskalizohen me pajisje të veçanta fiskale, këto biznese kanë rezistuar ta bëjnë këtë. Në fillim të muajit gusht, inspektorët i kanë vizituar të gjitha këto biznese të mëdha dhe i kanë ndëshkuar me nga një gjobë mandatarë, për ato biznese të cilat nuk e kanë bërë fiskalizimin sipas ligjit dhe udhëzimit në fuqi”, ka thënë Bytyqi.

Sipas saj, ky aksion është ushtruar ndaj 42 bizneseve të cilat e mbulojnë tregun e Kosovës me 90 për qind të pompave të benzinës.

Prej tyre, 13 biznese janë të fiskalizuara me të gjitha njësitë, 9 biznese pjesërisht të fiskalizuara si dhe 20 biznese të pafiskalizuara. ‘Ndërsa gjoba të lëshuar deri me dt. 16 shtator për këtë aktivitet janë 31 gjoba (1000€)’, ka thënë Bytyqi. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version