Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike, në ditën kur Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet tejet i fuqishëm.
Biseda telefonike është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, dhe vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do ta ndihmojnë Turqinë në tejkalimin e krizës – duke e asistuar në operacionet e kërkim shpëtimit me ekipet amerikane që tashmë janë nisur për në Turqi.
Shtetet e Bashkuara gjatë ditës premtuan dërgimin e 79 pjesëtarëve të specializuar në operacione të kërkim-shpëtimit, që do të asistojnë kolegët e tyre në Turqi, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar sot në telefon me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ku diskutuan për tërmetin që i mori jetën mbi 3.500 personave.
Ndryshe operacioni për shpëtimit e personave që kanë ngecur nën rrënojat e ndërtesave të shembura po vazhdon edhe në këto orë të vona, ku temperaturat kanë rënë nën zero dhe po ua vështirësojnë punën në terren. /Telegrafi/