Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar të gjitha palëve që të marrin pjesë në bisedimet e armëpushimit të Gazës në Doha, Katar, në mënyrë që të zbatohet një marrëveshje.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i kërkoi Izraelit dhe Hamasit të bëjnë kompromis dhe tha se përparimi është ende i mundur në ditët në vijim.
Ai vuri në dukje informacionet që tregonin se Irani nuk ka hequr dorë nga kërcënimi i tij për të sulmuar Izraelin.
“SHBA-ja po e shikon situatën nga afër dhe është e përgatitur, megjithëse shpresojmë që të mos arrihet deri në këtë pikë”, tha Kirby, shkruan skynews.
Ndryshe, frika është rritur se Irani do të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe kjo ka bërë që SHBA-ja të urdhërojë vendosjen e një nëndetëse me raketa të drejtuara nga Lindja e Mesme.
Këtë javë, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i tha kryeministrit britanik, Keir Starmer, se hakmarrja kundër Izraelit “është e drejtë” gjatë një telefonate të rrallë.
Siç raportohet, Pezeshkian i tha kryeministrit “një përgjigje ndëshkuese ndaj një agresori është një e drejtë e kombeve dhe një zgjidhje për ndalimin e krimeve dhe agresionit”.
Ndryshe, biseda telefonike 30-minutëshe mes dy liderëve pasoi një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, e cila i bëri thirrje Iranit dhe aleatëve të tij që të “heqin dorë nga kërcënimet e tij të vazhdueshme për një sulm ushtarak kundër Izraelit”. /Telegrafi/