Në betejën e zhvilluar të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat serbe, patën mbetur të vrarë disa policë serbë, kurse në shenjë hakmarrjeje forcat serbe rrethuan fshatrat Likoshan e Qirez ku edhe u ekzekutuan 24 civilë.
Masakra që u bë aty njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Kosovë.
Nga kjo luftë u dëbuan 800,000 mijë shqiptarë dhe u vranë 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë.
Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Një ndër masakrat që tronditi botën e civilizuar dhe tmerroi botën ishte maskara në familjen Ahmeti.
Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare dhe sipas një përllogaritje, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.
Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998, deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave jugosllave. Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbomalazeze dhe Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin në Marrëveshjen e Kumanovës. /Telegrafi/