Telegrafi

Shqipëria pritet të rihapë bastet sportive në 2023-shin, buxheti parashikohet të arkëtojë 2 miliardë lekë [17 milionë euro]

Foto: Ilustrim

Qeveria shqiptare ka parashikuar rihapjen e basteve sportive online duke filluar nga 1 janari i vitit 2023.

Kjo bëhet e ditur në projektbuxhetin e vitit që vjen, ku parashikohet rifutja në legjislacion e basteve sportive online.

Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, me efekt nga 1 janari 2023, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë [17 miliardë lek] taksa në vit.

Kujtojmë se më 31 dhjetor të vitit 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve.

Pas këtij vendimi drastik të qeverisë fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Pothuajse çdo javë, në njoftimet e policisë deklarohen të arrestuar që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në fushën e basteve sportive apo kategorive të tjera të lojërave të fatit.

Edhe pse shteti e dënon penalisht këtë veprimtari shumë biznese të kamufluara si bare dhe lokale ofrojnë edhe shërbimin e vendosjes së skedinës.

Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkat e shtetit.

Kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n kur lejohej vetëm një kazino kombëtare dhe 12.8 milionë euro në fund të vitit të shkuar me licencimin e tre kazinove të tjera. /Telegrafi/