Site icon Telegrafi

Shqipëria po plaket, raporti i INSTAT: Një në katër persona është mbi 60 vjeç

Popullsia e Shqipërisë po plaket dhe aktualisht një në katër persona është mbi moshën 60 vjeç.

Raporti vjetor 2023 i institutit kombëtar të statistikave INSTAT ka treguar se personat mbi 60 vjeç përbënin 23.5 për qind të totalit të popullsisë, me një rritje 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2022 dhe me rritje 8.8 pikë për qind që nga viti 2011, kur u krye censi i fundit për popullsinë.

Në vitin 2001 kjo grupmoshë zinte vetëm 11 për qind të totalit të popullsisë. Në fillim këtij viti në të gjithë vendin ishin 649.610 persona nga 449.061 që ishin në vitin 2011.

Bumi i lindjeve në vitet 1960 po sjell rritje të shpejtë të pensionistëve këtë dekadë teksa popullsia në moshë pune po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe norma e lartë e migracionit.

Me ritme të shpejta po rriten edhe personat mbi 80 vjeç që konsiderohet popullsia shumë e plakur. Numri i tyre arriti në 90.543 me 1 janar 2023 dhe zunë 3.3 për qind të popullsisë totale.

Struktura e popullsisë në favor të moshave të vjetra lajmëron probleme në të gjitha aspektet. Skema e pensioneve do të vihet në vështirësi në kushtet kur numri i pensionistëve po rritet dhe kontribuuesit do të rrudhen nga rënia e forcave të punës.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërorë po tregojnë se numri i pensionistëve po shënon rritje më të shpejtë se numri i kontribuuesve. Në vitin 2022 për çdo përfitues kishte vetëm 1.1 kontribuues nga 1.2 që ishte ky raport në vitin 2018.

Në vitet e mëtejshme raporti kontribues/përfitues do të përkeqësohet edhe me tej për shkak të zhvillimeve të pafavorshme demografike. /Telegrafi/

Exit mobile version