Site icon Telegrafi

‘Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve gjatë 27 viteve të fundit’

Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve gjatë 27 viteve të fundit. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë një interviste televizive.

“Sipas statistikave, 2017-a ka treguesit më të mirë në rënie të kriminalitetit krahasuar me vitet e fundit. Në 27 vite është numri më i ulët i vrasjeve, i vjedhjeve me dhunë, apo numri i aksidenteve me pasojë vdekjen. Shifrat janë të ftohta. Mund të kisha dalë në fillim të janarit e të thoja “Sukses!”.

“ Po dhe një vrasje e shoh si problem për mua. Natyrisht edhe politika për interesa të ditës përmend një ngjarje negative më shumë. Por ka diferencë të madhe mes qasjes së politikës dhe qytetarëve. Për qytetarët nuk është çështje vetëm vrasja në vetvete, por jeta e përditshme. Lidhur me perceptimin e ndryshëm të politikës dhe të qytetarëve, po ju sjell një sondazh të papublikuar të bërë në Elbasan, kryer me asistencën e OSBE-së. Sipas tij, 78% e të intervistuarve në qendër të qytetit ka siguri ditën, dhe 55% natën”, tha Xhafaj.

Lidhur me Vetingun në Polici, ministri Xhafaj tha se, ka qenë një ide e formësuar që në kohën kur drejtoja Reformën në Drejtësi.

“Më pas vijoi njohja me problemet e brendshme të Policisë së Shtetit dhe nevoja për ta përforcuar si agjenci ligjzbatuese. Përtej historive të veçanta apo të mediatizuara për X person apo grupe personash, në Policinë e Shtetit ka individë që përmbushin standarde integriteti. Ne i hymë një procesi të lidhur me pastrimin e radhëve të Gjyqësorit nga elementë të inkriminuar e të korruptuar, pa aftësitë e nevojshme profesionale. E kur flasim për drejtësi penale janë të rëndësishme Prokuroritë dhe Gjykatat”

“Por pa Policinë, organ ekzekutiv, është e pamundur drejtësia. Shumë shpejt do të shohim rezultate konkrete. Të dhëna të shumta tregojnë se në radhët e Policisë së Shtetit ka edhe policë të korruptuar e po aq të paaftë, apo që kanë përfituar një karrierë të padrejtë në raport me ligjin. Vetingu do të kryhet në radhët e Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave – SHÇBA, si dhe G ardës. Kemi bërë analiza në vazhdimësi. Ka dhe sinjalizime nga publiku”.

“Ne menduam të ndërmarrim një proces të tillë për të mbështetur pjesën e punonjësve të Policisë së Shtetit që përmbushin kriteret profesionale dhe për të pastruar Policinë nga ata që nuk i përmbushin këto standarde. Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit maksimumi mund të kapë harkun kohor të dy viteve. Në fazën e parë, Vettingu do të kryhet për 300 oficerë, drejtues të gradave më të larta. Ai do të përfshijë verifikimin e korrupsionit (vërtetimi i pasurisë), të lidhjeve kriminale dhe aftësive profesionale. Nuk mund të jesh edhe polic edhe të kesh pasuri të dukshme apo të padukshme që tejkalojnë disafish rrogën e policit. Projekti do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Dhe në fund të muajit mund të kalojë në Kuvend. Në formën e ligjit, absolutisht”, tha ministri i Brendshëm.

Exit mobile version