Telegrafi

Shqipëria do të përfitojë 60 milionë euro në vit nga rruga Durrës-Kukës-Morinë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Gazmend Oketa thotë se madhështia e rrugës mbarëkombëtare Durrës-Kukës-Morinë rrit shumë vëmendjen në objektivat dhe angazhimet e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha.

Në një bisedë me radion tonë zoti Oketa theksoi se rruga Durrës-Kukës-Morinë ka thithur një pjesë të madhe të fondeve të buxhetit shtesë. Sipas ministrit, megjithëkëtë qeveria i ka shpërndarë investimet në infrastrukturë në mënyrë të baraspeshuar.

“Investimet kryesore me të drejtë shkojnë në rrugën Durrës-Kukës, por dhe në akse të tjera në infrastrukturë investohet. Madhështia e rrugës Durrës-Kukës-Morinë tërheq vëmendjen, siç tërheq edhe pjesën më të madhe të buxhetit. Ky është projekt madhor, i cili ka bërë që një pjesë e mirë e investimeve të qeverisë të përqendrohen aty, sepse kjo do të jetë një rrugë, e cila do t’i sjellë rreth 60 milionë euro të ardhura ekonomisë shqiptare në vit”, tha ministri Oketa.

Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se investimet janë të prekshme edhe në sektorë të tjerë, jo vetëm në infrastrukturë. Zoti Oketa përmendi ndërtimin e ujësjellësve, kanalizimeve apo shkollave si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.(RTK Live)