Site icon Telegrafi

Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel në Letërsi

Pas Kosovës, ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel në Suedi do të bojkotohet edhe nga Shqipëria.

Lajmi u bë me dijeni nga ministri Gent Cakaj, që ndër të tjera shkruan se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.

“Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken”.

“Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit”.

Lexo po ashtu Zyrtarë të lartë të NOBEL-it do të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit për Handken

“Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi”.

“Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë”, shkruan Cakaj.

Ditë më parë edhe edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se as Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj ceremonie.

Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Akademia e Shkencave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet Nobeli për Handken. /Telegrafi/

Exit mobile version