Shpresë Mulliqi, zyrtare e Misionit të OSBE-së në Kosovë, është shpërblyer me çmimin për punën dhe kontributin për barazi gjinore.
Çmimin Mulliqi e pranoi në Vjenë të Austrisë nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid.
Schmid gjatë prezantimit të çmimit e çmoi lartë kontributin e Mulliqit në sferën e barazisë gjinore, por edhe në Departametin për Siguri Publike.
Ndërkaq, Mulliqi në fjalën e saj tha se ky çmim është shtysë, por dhe tregues, se sa shumë punë ka për t’u bërë ashtu që ky mision të përmbushet plotësisht.
Ajo gjithashtu falënderoi koleget nga OMiK, nga Departamenti për Siguri Publike, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët.
Kjo është hera e parë që një zyrtar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë e pranon këtë çmim.
Tre anëtarë të stafit dhe një projekt morën Çmimin e Kampionëve Gjinor të OSBE-së, i cili njeh kontribut të rëndësishëm në avancimin e barazisë gjinore në katër kategori: lidership, anëtar të stafit, pikë qendrore gjinore dhe projekt.
Paolo Bernasconi, drejtor për Burimet Njerëzore, mori Çmimin e Lidershipit. Ai u nderua për angazhimin e tij të vendosur për të promovuar barazinë gjinore në të gjithë Organizatën, dhe, në veçanti, për rolin e tij kryesor në zbatimin e ndryshimeve të rëndësishme në procesin e rekrutimit dhe në politikën dhe trajnimin e Parandalimit të Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual (PSEA).
Nën udhëheqjen e tij, Organizata ka arritur barazi gjinore midis stafit të saj ndërkombëtar.
Jamilya Sharifova, asistente e Lartë e Programit në Zyrën e Programit në Dushanbe, mori Çmimin e Anëtarit të Stafit për punën e saj të palodhshme në promovimin e barazisë gjinore në rajonin e largët dhe të prekur nga konflikti të Garm, në Taxhikistanin lindor.
Përpjekjet e saj në kryerjen e punëtorive në shtëpi, krijimin e grupeve mbështetëse të grave dhe lehtësimin e nismave të biznesit të vogël për gratë kanë qenë vendimtare në fuqizimin e grave dhe adresimin e pasojave të konfliktit të brendshëm të dhunshëm që pllakosi rajonin.