Site icon Telegrafi

Shpjegohet arsyeja e vërtetë pse Trossard u përjashtua me karton të kuq ndaj Man Cityt

Leandro Trossard u ndëshkua me karton të kuq për shkak se e goditi topin në ndeshjen mes Manchester Cityt dhe Arsenalit në ‘Etihad Stadium’.

Vetëm pak sekonda para përfundimit të pjesës së parë, Bernardo Silva u faullua në mesfushë dhe pasi gjyqtari fishkëlloi për goditje të dënimit, Trossard e goditi topin tutje.

Këtë gjyqtari i ndeshjes Michael Oliver e pa si veprim të palejueshëm, duke ia treguar belgut kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin.

Ky vendim e la skuadrën e Arsenalit të shokuar ndërsa trajneri Mikel Arteta u pa duke kapur kokën me dy duart në shenjë mosbesimi.

Kjo nuk është hera e parë që ‘Topçinjtë’ përfshihen në një situatë kontroverse me gjyqtarët, pasi edhe në takimin e luajtur më herët ndaj Brightonit, Declan Rice ishte ndëshkuar me të kuq pasi kishte vonuar nisjen e lojës.

Kjo natyrisht kishte shkaktuar edhe reagimin e fortë të Artetës pas përfundimit të ndeshjes, me të njëjtin që kishte thënë se ishte i habitur me vendimin e gjyqtarit.

Mbetet të shihet pas përfundimit të derbit se cili do të jetë reagimi i ardhshëm i teknikut spanjoll pas këtij rasti që përfshiu Trossard./Telegrafi/

Exit mobile version