Një raketë SpaceX ka shpërthyer pak pasi u lansua nga Teksasi, duke bllokuar fluturimet dhe duke shkaktuar paralajmërime për rënien e mbeturinave të saj.
SpaceX konfirmoi se anija pa ekuipazh kishte pësuar “një çmontim të shpejtë të paplanifikuar” gjatë ngjitjes së saj në hapësirë dhe kishte humbur kontaktin me tokën.
Starship e SpaceX, raketa më e madhe e krijuar ndonjëherë, doli jashtë kontrollit menjëherë pas lëshimit të saj.
Nuk janë raportuar të lënduar apo dëme, por imazhet nga ato në vendet ishullore të Detit të Karaibeve tregojnë mbeturina të zjarrta që bien nga qielli.
Bëhet e ditur se ky ishte misioni i tetë për të testuar raketën dhe dështimi i saj i dytë radhazi, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Anija kozmike 123 metra ishte menduar të rihynte në orbitën e Tokës mbi Oqeanin Indian pas një fluturimi njëorësh.
Ndërkohë, përforcuesi i saj Super Heavy, i cili e ndihmon atë të largohet nga toka, ia doli me sukses të kthehej në platformën e lëshimit.
SpaceX, e cila është në pronësi të miliarderit Elon Musk, tha se ekipet filluan menjëherë të bashkërendojnë me zyrtarët e sigurisë për “përgjigjet e planifikuara paraprakisht të emergjencës”.
Deklarata shtoi se SpaceX do të rishikonte të dhënat “për të kuptuar më mirë shkakun rrënjësor” të prishjes dhe vuri në dukje se shpërthimi ndodhi pas humbjes së “disa” motorëve.
“Si gjithmonë, suksesi vjen nga ajo që mësojmë dhe fluturimi i sotëm do të ofrojë mësime shtesë për të përmirësuar besueshmërinë e Starship”, tha SpaceX.
Sipas kompanisë, mbeturinat duhet të kishin rënë brenda një zone të planifikuar paraprakisht dhe raketa nuk përmbante materiale toksike.
Kompania përfshiu gjithashtu një email dhe një numër telefoni për ata që besojnë se kanë gjetur ndonjë mbetje të pajisjes.
Ndryshe, aksidenti ndaloi për pak kohë fluturimet në disa aeroporte të Floridës, duke përfshirë në Miami dhe Orlando, për shkak të shqetësimeve rreth mbeturinave.
Një deklaratë nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se fluturimet brenda dhe jashtë aeroporteve u vonuan për shkak të një “incidenti të lëshimit në hapësirë”. /Telegrafi/