Site icon Telegrafi

Shpërlarje parash, bashkëpunim me kartelet e drogës – arrestohet djali i presidentit të Kolumbisë

Djali i presidentit kolumbian është arrestuar si pjesë e një hetimi për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm, njoftoi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë.

Nicolas Petro – kongresmen në provincën Atlantico – ishte nën hetimet e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej fillimit të muajit mars pasi dyshohet se kishte marrë para nga trafikantët e drogës në këmbim të përfshirjes së tyre në përpjekjet e babait të tij për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes me organizatat kriminale të Rajonit të Karaibeve.

Petro ka mohuar më parë akuzat duke thënë se “ato nuk ishin gjë tjetër veçse sulme politike”, raporton cnn.

Duke iu përgjigjur lajmit për arrestimin e djalit të tij, presidenti kolumbian, Gustavo Petro tha se ishte “i lënduar”, por garantoi se do të ndiqen të gjitha procedurat sipas ligjit.

“Si njeri dhe baba, kaq shumë vetëshkatërrim dhe fakti që njëri nga fëmijët e mi shkon në burg, më lëndon shumë. Si president i republikës, siguroj se prokuroria ka të gjitha garancitë e mia për të vepruar në përputhje me ligjin”, shkroi Petro në X (ish-Twitter).

Një urdhër arresti u lëshua gjithashtu kundër ish-bashkëshortes së Nicolas Petros, Daysuris del Carmen Vasquez Castro, “për pastrim të parave dhe shkeljes së të dhënave personale për ngjarjet që kanë ndodhur nga viti 2022 deri më sot”, tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version