Telegrafi

Shoqërimi varet nga madhësia e amigdalas në tru

Zona në tru në formë të bajames, e cila njihet si amigdala, në masë të madhe përcakton sa një person do të jetë i shoqërueshëm.

Ekspertët më herët kanë konkluduar se primatët, si majmunët dhe shimpanzetë, të cilët kanë amigdala më të mëdha, janë pjesë e grupit më të madh, dhe së më shumë “shoqërohen”. Tani shkencëtarët pohojnë se e njëjta vlen edhe për njerëzit.

“E dimë që primatët të cilët jetojnë më gjatë në grupe më të mëdha kanë amigdala më të mëdha. Kemi vëzhguar edhe njerëzit, dhe kemi zbuluar se madhësia e amigdalas është në korrelacion pozitiv me madhësinë dhe kompleksitetin e rrjeteve të shoqërimit tek të rriturit”, ka thënë profesoresha Lisa Barrett.

Ekspertët kanë thënë se nuk kanë arritur të gjejnë asnjë lloj lidhje në mes të shoqërimit dhe ndonjë zone tjetër në tru pos amigdalas, që i ka sjellë tek konkludimi se madhësia e amigdalas në të vërtetë është e lidhur me kualitetin e jetës shoqërore.

“Lidhja në mes të amigdalas dhe madhësisë së rrjetit shoqëror, si dhe kompleksiteti i tij janë vëzhguar tek individët e vjetër dhe të rinj, si tek gratë ashtu tek burrat. Është përcaktuar lidhja me amigdalan”, ka thënë koautori i hulumtimit profesori Bradford Dickerson.

Shkencëtarët kanë anketuar 58 vullnetarë mbi madhësinë dhe kompleksitetin e rrjeteve të tyre shoqërore. Vullnetarët janë përgjigjur në pyetësorë standard me të cilët është vërtetuar numri i kontakteve shoqërore të cilat secili individ i mirëmban, si dhe numri i ndryshëm i grupeve shoqërore të cilëve këta individë i takojnë.

Pjesëmarrësit në mes të moshave 19 deri në 83 vjeç kanë kaluar nëpër skanime MRI për të marrë informata mbi strukturën e strukturën e ndryshme të trurit, përfshirë edhe madhësinë e amigdalas.

Shkencëtarët kanë thënë se amigdala njerëzore ka evoluar në mënyrë që ajo pjesërisht të përballet me jetën komplekse shoqërore të njeriut. Shpesh kjo lidhet me emocionet, veçanërisht me frikën.

“Vazhdojmë me hulumtimin për të kuptuar më shumë për atë se si amigdala, e ndoshta edhe zonat tjera trunore, është e lidhur me sjelljen e njerëzve në shoqëri. Në bashkëpunim me shkencëtarët tjerë po tentojmë të kuptojmë anormalitetet në këto zona trunore të cilat mund të ndikojnë negativisht në shoqërim për shkak të çrregullimeve neurologjike dhe psikiatrike”, ka shtuar Barrett. /Telegrafi/