Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit ka shprehur shqetësimin lidhur me konkursin për pozitën kryeshef ekzekutiv në “Trepça Sh.A” duke kërkuar edhe anulimin e këtij konkursi.
CorrWatch konsideron që kërkesat e përgjithshme të paraqitura në konkurs janë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se CorrWatch konsideron se kërkesa për dokumentin “Certifikatën (dëshminë) nga gjykata kompetente që dëshmon se nuk është nën hetime jo më të vjetër se gjashtë muaj” është në kundërshtim me këtë ligj duke qenë se ligji përcakton që kandidati duhet të mos jetë i dënuar nga një gjykatë kompentente. Pra, do të duhej të kërkohej dokumenti që e vërteton këtë gjë dhe jo dëshmia që nuk është nën hetime.
“Në kriteret e kualifikimit, nuk është cekur niveli i shkollimit, vetëm fusha/drejtimi i kërkuar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndërlidhje mes veprimtarisë biznesore të ndërmarrjes me drejtimet duhet të specifikohet pasi kjo lë hapësirë për interpretim të gjerë gjatë vlerësimit të kandidatëve. Te pjesa ku është cekur se ‘preferohet kandidatët me përvojë pune në ndërmarrjet/korporatat tjera të mëdha dhe me kompleksitet të lartë’, një kriter i tillë nuk është theksuar se si mund të vlerësohet, e përderisa nuk është kriter obligativ është dashur të ketë sqarime shtesë për vlerësimin e këtij kriteri”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, CorrWatch thotë se ka identifikuar se te kriteri lidhur me përvojën e punës, është bërë vetëm referimi në nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike por jo edhe zbërthimi i këtij neni në aspektin e kritereve që duhet të plotësohet nga kandidatët. “Aq më tepër, kur ky nen bën referencë te një nen tjetër (neni 21) e që mund të shkaktojë huti te kandidatët”.
Njoftohet se të njëjtat shqetësime janë ndarë me menaxhmentin e Trepça Sh.A, por që nuk janë adresuar.
“Përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që ndërmarrja të anulojë konkursin për shkak të shkeljeve ligjore si dhe i njëjtit të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të cilat garantojnë proces transparencë dhe të bazuar në meritokraci”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/