Site icon Telegrafi

Shkupi i shekullit XVII, sipas udhëpërshkruesit të famshëm osman

Nga: Evlija Çelebiu (1611-1682)
Përgatiti: Dashnor Kaloçi

Muret e fortesës së Shkupit janë me gurë të lëmuar e me shumë elegancë. Këtë mjeshtëri mund ta gjesh vetëm në shkollën teologjike të Platonit në Athinë.

Këtë krahinë e ka pushtuar Gazi Evranos Beu në kohën e Jalldërem Pajazitit, i cili e pëlqeu tepër klimën e këtij vendi. Ai qëndronte shpeshherë në Shkup me ushtrinë e tij dhe prej këndej niste fushatat për të pushtuar vendet e tjera. Shkupi ndodhet përmbi një fushë, e cila shtrihet për mbi dy anët e lumit Vardar. Fortesa dhe qyteti janë në perëndim të Vardarit. Qyteti ka disa mijëra shtëpi guri dhe ndahet në shtatëdhjetë lagje. Sipas organizimit të Sulejman Khanit, Shkupi është kryeqendra e Sanxhak-beut, i cili e administron dhe ka në dispozicion të tij 500 ushtarë. Kur është e nevojshme, ai merr pjesë në luftë.

Të ardhurat e tij vjetore përbëhen nga dhjetë qese me flori. Shkupi ka 250 timare dhe zeamete dhe është në gjendje të nxjerrë për rast lufte deri në pesë mijë ushtarë. Autoritetet e vendit janë: Allaj Beu, Çeri Bashi, (kapiteni) Sheh Islami dhe Nekibul Eshrafi. Sipas ligjit mbretëror Shkupi është kryemyftini me 5000 akçe. Ai ka rreth 450 katunde, që i sigurojnë Mullahut të ardhura vjetore afro njëzet qese. Mullallëku ka në varësi pesë nënmyftini dhe dyzet deri në pesdhjetë kadilerë. Veç këtyre ka edhe Qehajanë e spahinjve, Serdarin e jeniçerëve dhe Dusdarin e kalasë me 300 ushtarë. Të tërë këta nëpunës paguhen nga administrata, që i siguron të ardhurat nga metali i argjendit në Karatovë. Përveç këtyre, është dhe sundimtari i monedhës, i cili ka koncensionin e shfrytëzimit të metalit të argjendit e të hekurit për tërë provincën, përveç asaj të Karatovës. Për këtë koncension ai paguan shtatëdhjetë barrë akçe. Në kohën tonë drejtor e sundimtar i këtij metali ishte Muhamet Pasha. Një tjetër autoritet është agai i haraçit, i cili nxjerr një taksë prej pesdhjetë e shtatë mijë. Një sundimtar tjetër është ai i fabrikës së municionit, i cili me xhevërxhilen e ndodhur në krahinat e kësaj province, prodhon barutin e zi. Shkupi ka edhe baxhadarin, i cili nxjerr taksën e e baxhës nga malli, që importojnë karvanët. Në Shkup nuk ka zyrë doganore, pse taksa doganore nxirret në Selanik, Beograd e Bosnje.

Kalaja e Shkupit

Shkupi ka një fortesë të përforcuar në dy pode e me banorë të famshëm. Muret e kësaj ndërtese përbëhen me gurë të lëmuar me shumë elegancë. Kryeinxhinieri i ka ndrequr aq bukur shtyllat e mermerit të saj, saqë ato duken sikur janë prej allçie. Shembullin e delikatesës të kësaj mjeshtërie mund ta gjejmë në shkollën teologjike të Platonit në Athinë, të cilën fatihu e ka kthyer në xhami. Fortesa e lartë ndodhet mu në kërthizë të qytetit dhe ka formë pesëkëndore. Muret e saj janë pesdhjetë kute të larta. Fortesa është e zbukuruar me shtatëdhjetë kulla. Qyteti ka afro dy mijë dyqane të hijeshme. Nga ana e Kiblës ka tri palë dyer hekuri dhe midis tyre ka roja të pajisura dhe të armatosura me armë dhe municion. Nga fortesa mund të sigurosh një fushëpamje mjaft të mirë, pasi rreth saj nuk ka pengesa të larta dhe mund të shohësh të gjithë hapsirën fushore. Në perëndim të saj është lumi i Vardarit, në breg të cilit ka një kullë uji të lidhur me fortesën nëpërmjet një kanalizimi të gurtë. Në këtë krah nuk ka hendek, pasi vendi është humnerë dhe është mjaft strategjik. Të tri anët e tjera jantë të rrethuara me hendek të thellë dhe para portës ka një urë druri, e cila mund të ngrihet me një mekanizëm, i cili i mbështetet portës si përforcues. Portën e ka meremetuar Sulltan Murati i Muhamet Khanit në vitin 856. Brenda fortesës ka njëqind shtëpi dykatëshe, të cilat janë të ndërtuara të gjitha me mure guri shumë të bukura. Këto shtëpi janë të mbuluara me tejgulla të kuqe dhe rrasa guri. Pallatet më të famëshme janë ato të Mahmut Pashës,  Emir Pashës,  Koxha Serdarit dhe Zeçan Zades. Shkupi ka edhe dyzet e pesë xhami e pesëdhjetë e pesë mesxhide. Më të përmendurat ndër to janë xhamia e Hyqynarit, pranë sahatit dhe e Jahja Pashës, në lagjen e poshtme. Pastaj vjen xhamia e Karlo Zades në krye të urës së madhe të Vardarit, e Koxha Mustafait, para fortesës, Xhamija e Kuqe e Is` hak Beut.

Vendet e Kultit

Medresetë më me emër janë ato të Sulltan Muratit,  Jahja Pashës, Isak Pashës, Isa Pashës, Mustafa Pashës dhe e Karlo Zades. Veç këtyre ka edhe shtatë shkolla hafizësh, shtatëdhjetë shkolla fillore, njëzet teqe, njëqind e dhjetë kroje e dyqind “sebil-hane” (që japin ujë për hir të zotit). I tërë uji i Shkupit vjen prej maleve të Kaçanikut dhe bashkohet me Vardarin, i cili vjen nga malet e Pejës e të Prizrenit dhe kalon nëpër Shkup, Qyperli, Karaferi dhe derdhet në gjirin e Selanikut. Në Shkup gjithashtu ka edhe njëmijë mullinj e shumë banjo, ndër të cilat më me emër janë ato të vajzave, e cila ndodhet në një vend të fshehtë, (pasi në këtë qytet qenka mbarësi në se gruaja hyn në banjë), banjoja e bojaxhinjve dhe e Isa Beut. Po kështu aty gjenden dhe shumë banjo familjare. Në Shkup ka edhe shtatë bujtina, që shërbehet gratis, trembëdhjetë bujtina beçarësh dhe disa hane. Tregu ka dy mijë e njëqind e pesdhjetë dyqane guri të stolisura me kube e me qemer. Aty në ato dyqane janë të vendosur pëlhurtartë, qëndistarët, çadërxhijnjtë, mestexhinjtë, bojaxhinjtë, qeleshexhinjtë, të cilët janë të vendosur në tregje të hijeshme e të pastra. Çdo tregtar në dyqanin e tij mban një enë me ujë e me një buqetë me lule me erë të këndëshme , si lil, (zambak), vjollcë, trëndafil, jargovan, sumbull etj, të cilat lëshojnë aromë aq të këndshme sa ia prishin mendjen vizitorit. Tregtarët e Shkupit janë njerëz të ndershëm dhe të sjellshëm në punën e tyre. Edhe në ditët me vapë Shkupi është i freskët si izbet e Bagdatit, sepse i gjithë tregu është i mbuluar dhe Bezistani i tij me dy porta prej hekuri është mjaft i bukur. Mbi lumin e Vardarit, që kalon mespërmes qytetit, ka një urë me katërmbëdhjetë harqe, e cila është e ndërtuar nga Fatih Sulltan Mehmeti. Shkupi është atdheu i poetëve të famshëm Haqiu dhe Erzi Çelebiu, të cilët kanë jetuar në kohën e Pajazit Veliut. Poet me famë dhe tepër i dëgjuar ka qenë dhe Koxha Hasan Zadeja.

Ndërtesat monumentale

Ndërtesat monumentale të Shkupit janë Kulla e Sahatit, e lartë sa një minare, afër xhamisë së Hynqarit, me një këmbanë që dëgjohet deri një ditë larg. Tyrbeja e Baba-Llukmanit, në fund të qytetit. Për Baba-Llukmanin thuhet se ka qenë një dijetar e filozof i famshëm. Ai ka hapur një burim, për të cilin thuhet se ka fuqi shëruese. Çdo i sëmurë, që pi ujë nga ky burim, pa dyshim që shërohet, brenda tij ka shumë farë peshqish. Janë të shumtë ata që e kërkojnë fatin në këtë burim, në të cilin hedhin pak bukë dhe nëse ajo hahet nga peshqit, atëhere puna vete mbarë, e po nuk e hëngrën, atëherë duhet të heqin dorë nga synimi i tyre. Në Shkup ka shumë kisha armenësh, jahudinjsh, bullgarësh e serbësh. Francezët, hungarezët dhe austriakët nuk kanë kisha. Latinët janë shumë dhe i kryejnë ceremonitë fetare në kishat serbe. Klima e fortë e qytetit u jep njerëzve gjallëri. Produktet më të përmendura të vendit janë coha, qasha, dorzat, jastëkët e perdet e qëndisura që s’mund të punohen as në Persi. Po kështu gruri dhe elbi kokërmadh janë me nam. Banorët e Shkupit janë tregtarë industrialë e dijetarë.

Në Shkup ka edhe nëntë strehë të varfërish, në të cilat ushqehen gratis udhëtarët, turistët, dijetarët, të vobegtit dhe rregullisht, në mëngjez e në mbrëmje, të varfërit e të mjerët. Ushqimet, që gatuhen nga banorët e Shkupit, janë biranij me mish qengji të pjekur në çerep, peshk i mbushur etj. Mollët, ftonjtë, kumbullat e pjeshkët janë tepër të shijshme. Shurupi i mjaltit me erë misku dhe shurupi i vishnjes e hardalla janë shumë të mira. Sipas regjistrit të Baxhdarit në Shkup ka rreth shtatëdhjetë mijë dynymë vreshta, pronë e banorëve të saj, dhe shumë vakëfe. Populli i Shkupit flet gjuhën shqipe dhe gjuhën e Rumelisë, me një stil të folmjeje, që është karakteristike për këtë qytet. Shkupi është një qytet i rregullt me rrugë të gjera e të shtruara me gurë të bardhë, në të cilat ka shumë pastërti. Banorët e Shkupit janë shumë njerëz bujarë e fisnikë dhe elegantë e qibarë, përkrahës të dijetarëve dhe intelektualëve, por se janë fort të dhënë pas zvekut dhe dashurisë. Nga drejtimi i perëndimit, rreth dy ditë larg, Shkupi ka afër qytetin e Pejës dhe të Prizrenit si dhe prefekturën e Dukagjinit. Nga ana e Kiblës, dy ditë larg është Qyprilia dhe dy ditë larg është Ishtipi. Në lindje është qyteti i Karatovës dhe fortesa e Egri Deres (përroi i shtrembër). /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version