Site icon Telegrafi

Shkup, hapet cikli i tretë i panaireve për punësim

Në Shkup është hapur sot cikli i tretë i panaireve për punësim, ku deri më 15 qershor, Agjencia për Punësim mundëson që përmes kontaktit të drejtpërdrejt me punëdhënësin, personi i papunë të marrë informacionet e duhura se çfarë kërkohet, sa paguhet ajo, më konkretisht, se çfarë ofrojnë punëdhënësit dhe si janë vendet e punës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Ibrahim Ibrahimi në hapje të panairit për punësim tha se se këto ngjarje kanë bërë që të ulet shkalla e papunësisë, e cila sipas tij në vitin 2006 ka qenë mbi 36 përqind ndërsa me të dhënat e fundit të publikuara nga Enti për Statistikë ajo është 23.7 përqind.

Ibrahimi tha se panairet e tilla paraqesin një mundësi të mirë për të rinjtë që të njihen me aktualitetet në tregun e punës, në mënyrë që të mund të orientojnë arsimimin e tyre në drejtimin e duhur.

“Për afaristët privat, ky panair është një mundësi e shkëlqyer për t’i prezantuar publikut veprimtarinë e tyre por edhe nevojat për fuqi punëtore me çka bëhen më tërheqës për punëtorët. Për çdo ditë ne forcojmë partneritetin tonë me punëdhënësit sepse klima e biznesit më së shumti varet nga efektshmëria e tyre”, tha Ibrahimi.

Drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski në fjalimin e tij tha se në dy ciklet paraprake në të gjitha panairet e hapura kanë parakaluar mbi 70.000 vizitorë të cilët kanë lënë mbi 21.000 biografi që ka rezultuar me mbi 2000 punësime.

“Agjencia për Punësim është një institucion që dëgjon dhe që realizon kërkesat e punëdhënësve por edhe të personave të cilët kërkojnë punë. Është hapur nga nevoja e pyetjeve të të rinjve se si të gjejnë punë, prandaj ky është vendi ku ata do të kenë qasje te punëdhënësi”, tha Popovski.

Papunësia tek të rinjve, sipas Poposkit, po zvogëlohet, por ende është i madh.

Para katër vitesh ka qenë 50 për qind, ndërsa tani është 46 deri në 47 për qind.

Karvani i panairit përfshirë gjashtë qytete, Shkupin, Shtipin (26 maj), Kavadarin (30 maj), Manastirin (6 qershor), Tetovën (8 qershor) dhe Strumicën (13 qershor).

Exit mobile version