Site icon Telegrafi

Shkon në 205 numri i qytetarëve që dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një lokal në Malishevë

Ka arritur në 205 numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Afrim Krasniqi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Numri i qytetarëve po vazhdon të rritet, deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”, tha ai.

Rastet e para të helmimit të qytetarëve janë paraqitur ditën e premte.

Lidhur me rastin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur inspektimet në lokalin ku dyshohet se janë ushqyer qytetarët.

AUV ka marrë vendim që të mbyllet përkohësisht lokali dhe ka asgjësuar mbi 60 kg mish.

“Janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore: 2 mostra nga sosat, 1 mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar pleskavicë qofte të papërpunuara Dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit. Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative në bashkëpunim me IKSHP. Të gjitha mostrat janë nisur për laboratorin e IKSHP Prishtinë ku edhe do të testohen në disa parametra. Pas përfundimit të mostrimit produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar sasia totale 64 kg, kryesisht mish, produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, theksoi ai.

Lexo po ashtu Mbi 150 persona të helmuar, mish të asgjësuar, mbyllje e lokalit - çfarë dihet deri tani për rastin në Malishevë

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka arrestuar pronarin e lokalit.

“Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia. /Telegrafi/

 

Exit mobile version