Please enter at least 3 characters.

Shkodra Elektronike publikojnë videoklipin e këngës “Zjerm”

Grupi Shkodra Elektronike, i përbërë nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, ka publikuar videoklipin zyrtar të këngës “Zjerm”, me të cilën do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2025.

Pas triumfit në Festivali i Këngës 63, ku u shpallën fitues, ata sjellin një vizualizim artistik për këngën që tashmë ka ngjallur interes të madh si brenda vendit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

Videoklipi, i publikuar në kanalin zyrtar të Eurovision Song Contest, paraqet një ndërthurje të elementeve tradicionale shqiptare me ato moderne elektronike, duke reflektuar stilin unik të grupit.

Pamjet e fuqishme dhe skenografia e veçantë theksojnë energjinë dhe mesazhin e këngës, duke e bërë atë një nga projektet më të spikatura muzikore të Shqipërisë në Eurovision deri më tani.

Kënga “Zjerm” është pritur me entuziazëm nga fansat e Eurovisionit dhe kritikët muzikorë, të cilët vlerësojnë kombinimin e muzikës elektronike me motive tradicionale shqiptare.

Pritshmëritë janë të larta për performancën e tyre në skenën e madhe të Eurovisionit në maj të këtij viti. /Telegrafi/