Janë zhvilluar ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku nuk munguan emocionet dhe surprizat. Shkëndija dhe Struga kaluan me fitore minimale, ndërsa AP Breras iu deshën penalltitë për të siguruar kalimin në gjysmëfinale, njofton Telegrafi.
Shkëndija triumfoi 0-1 ndaj Detonit Plaçkovicës në një transfertë në Radovish. Heroi i takimit ishte Adonis Shala, i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 22-të. Pak minuta më vonë, tetovarët patën mundësinë të dyfishonin epërsinë nga pika e bardhë, por Ademi humbi penalltinë, duke gjuajtur mbi portë.
Në pjesën e dytë, skuadra e Jeton Beqirit kontrolloi lojën dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por fati nuk ishte me ta për fitore me rezultat më të thellë.
Struga siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 1-0 ndaj Gostivarit. Goli i fitores erdhi në minutën e 48-të pas një gabimi fatal të portierit Bujar Abazi, i cili i dhuroi topin sulmuesit Kehinde. Ky i fundit nuk fali, duke e dërguar lehtësisht topin në rrjetë. Pavarësisht disa përpjekjeve nga Gostivari për të barazuar, Struga mbajti epërsinë dhe avancoi në fazën tjetër.
Një nga ndeshjet më dramatike ishte ajo mes AP Breras dhe Arsimit, që përfundoi 1-1 pas 90 minutave të rregullta. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 15-të me golin e Fahd Nzengue, por Arsimi barazoi në minutën e 78-të falë realizimit të Taipit.
Fituesi u vendos nga pika e bardhë, ku futbollistët e AP Breras u treguan më të saktë, duke siguruar një vend në gjysmëfinale. Gjysmëfinale siguroi edhe Vardari, pasi fitoi 1-0 Sileksin. Gjysmëfinalet pritet të sjellin duele të forta, me skuadrat më të mira në garë për trofeun e Kupës së Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/