Hamas ka dorëzuar trupat e katër pengjeve të pajetë izraelite, në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur.
Izraeli tani po kryen verifikimin e mostrave të ADN-së për të konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje mortore të Shlomoa Mansour (86), Ohad Yahalomi (50), Tsachi Idan (50) dhe Itzik Elgarat (69), të cilët u kapën nga Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.
Izraeli ka filluar lirimin e më shumë se 600 palestinezëve të burgosur ndërsa dhjetëra janë kthyer në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në Gaza.
Ky do të jetë shkëmbimi fundit i fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim, që pritet të përfundojë të shtunën, shkruan bbc.
Para njoftimit të mërkurën, një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë AFP se kthimi i katër trupave do të bëhet “pa praninë e publikut për të parandaluar që pushtuesit të gjejnë ndonjë justifikim për shtyrje ose pengim”.
Fotografitë e publikuara nga agjencia e lajmeve reuters tregojnë një autobus që besohet se ka transportuar palestinezët e burgosur nga burgu Ofer në Bregun Perëndimor, vonë të mërkurën.
Autobusi me të burgosurit palestinezë më vonë mbërriti në pikën e kontrollit në Palatën e Kulturës në Ramallah, ku u mblodh një numër i madh njerëzish për të festuar lirimin e tyre.
Më vonë, dhjetëra palestinezë të burgosur u panë duke dalë nga autobusi para një spitali në Khan Younis në Gaza.
Mes të burgosurve palestinezë që pritet të lirohen janë më shumë se 400 banorë të Gazës që janë burgosur nga forcat izraelite gjatë luftës, si dhe 50 të burgosur që po vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite.
Përveç burgut Ofer në Bregun Perëndimor, Izraeli kishte njoftuar më parë se të burgosurit do të lirohen gjithashtu nga burgu Ketziot në jug të Izraelit.
Zyra për media të burgosurve që drejtohet nga Hamasi ka njoftuar se spitali në Gaza po përgatitet të pranojë palestinezët e liruar. /Telegrafi/