Anëtari i Bordit i Klubit Basketbollistik Prishtina, Shkelzen Fetiu ka thënë se Ligën e Basketbollit të Kosovës në mungesë të katërshes së madhe e kanë mbajtur Rahoveci dhe Ylli.
Fetiu, në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini ka thënë se i përgëzon këto dy klube por rivalitet me Prishtinën nuk kanë pasur.
“Ndoshta do të ishte mirë që ekipa e KB Prishtinës në të ardhmen të mos merr pjesë në garat e ligës së Kosovës, qysh ndodh në Mal të Zi, Maqedoni e vende tjera, por të kyçet vetëm në play-off për shkak të garave evropiane”.
Anëtari i Bordit i KB Prishtina ka thënë se ekziston mundësi që ky klub të garojë direkt në grupet e Champions-it dhe në rast të mos kalimit më tutje, ata do të shkonin automatikisht në FIBA Eurocup.
“Ekipet tjera do të kishte qenë mirë të garojnë ndërsa Prishtina të garojë me një ekip të dytë me lojtarë të rinj që të kaliten dhe ta krijojnë njëfarë konkurence, sepse me keqardhje këtë vit nuk ka pasur konkurrencë”.
Fetiu ka thënë se një humbje nga Rahoveci ka ardhur si pasojë e fitores me diferencë të madhe në ndeshjen e parë.
“Ne si ekip e madhe që jemi në Kosovë, një lëshim na është hakmarrë dhe kemi humbur shancën të shkruajmë historinë pa asnjë humbje…Në sport nëse lëshohesh pak e merr një kontra goditje”, tha ndër të tjera Shkelzen Fetiu./Telegrafi/