Site icon Telegrafi

Shkarkimi i bordeve e thellon edhe më tej krizën në ndërmarrjet publike

Qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave ka shkarkuar katër borde të përkohshme të ndërmarrjeve publike të cilat ishin emëruar nga qeveria Kurti. Por ky vendim nga partitë opozitare në vend po konsiderohet si tentim për kapje të shtetit. E për njohësit e ekonomisë me këto veprime politika po i dëmton edhe më tej ekonomikisht ndërmarrjet publike.

Getoar Mjeku nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se pushteti aktual nuk dëshiron borde që punojnë në interes të shoqërisë, por në interes të njerëzve të vetë.

Ai tha se me këto veprime po tentohet të kapet shteti përkundër që bordet e shkarkuara kanë punuar ashtu siç e parashohin ligjet në vend.

Mjeku i cili në qeverinë e kaluar ishte edhe këshilltar juridik në Ministrinë e Ekonomisë thotë se bordet janë shkarkuar pse nuk kanë pranuar të emërojnë persona të caktuar.

“Pushteti i shkarkoi mu pse këto borde zhvilluan konkurse në mënyrë të pavarur dhe transparente ashtu siç e parasheh ligji për me i përzgjedhur kryeshefat dhe zyrtarët tjerë. Me ndërhyrë për këtë çështje jo vetëm me vendimet që janë ndërmarrë por edhe me përpjekjet paraprake që i ka pasur qeveria Hoti për me ndërhyrë në këto ecuri është shkelje e ligjit dhe aq më tepër tregon se kjo qeveria që si Lëvizjes Vetëvendosje e konsiderojmë të paligjshme jo legjitime dëshiron me e kap shtetin. Kapja e shtetit nuk nënkupton praninë e një zyrtari apo një personi të caktuar në organet vendimmarrëse, por nënkupton vendimmarrjen për qëllime të caktuara, jo për interesin publik siç kërkon Kushtetuta por interesat e ngushta të oligarkëve të pushtetarëve….Ky pushtet nuk dëshiron pavarësi të bordeve ashtu siç parasheh ligji por dëshiron vendimmarrje të porositur, bordet janë shkarkuar pse nuk kanë pranuar me emërua persona të caktuar apo me i pezullua konkurset deri në një kohë kur pushteti do e kishte një kohë të mundshme me i emërua njerëzit e vetë“, theksoi Mjeku.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha thotë për KosovaPress se praktika e shkarkimeve të bordeve të ndërmarrjeve publike është një praktikë e cila po i dëmton këto ndërmarrje.

Derisa thotë se nuk ka parë ndonjë arsyeshmëri për këtë veprim, kërkon që qeveria t’i mbajë duart larg nga këto ndërmarrje.

“Praktika të tilla të ndërhyrjeve në autonominë e ndërmarrjeve publike nuk kemi pasur asnjëherë sikur në rastin e qeverisje së Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht ish-kryeministrit, Albin Kurti dhe tani Avdullah Hoti…Nuk e kam parë ndonjë arsyeshmëri të qeverisë konkrete pse e ka marr një vendim të tillë, por që qeveria duhet t’i mbajë larg duart nga ndërmarrjet publike, duhet t’i lë ato të bëjnë biznes dhe të kryejnë shërbime profesionale dhe të bashkëpunojnë me njerëz që menaxhojnë me ato ndërmarrje publike përveç në rastet kur vlerësohet me raporte se nuk ka performancë të kënaqshme të atyre ndërmarrjeve publike”, deklaroi Hoxha.

E sipas njohësit ekonomik, Mustafë Kadriaj ndërrimi i shpeshtë i bordeve po i fut në krizë ekonomike edhe më tutje këto ndërmarrje publike.

Ai madje thotë se edhe emërimet në krye të bordeve nuk po bëhen duke respektuar profesionalizmin, por vetëm për të “rehatuar” njerëzit e partisë.

“Si rezultat i ndërhyrjes politike kanë ardhur në këtë pikë se nga ana ekonomike dhe nga ana e menaxhimit të këtyre ndërmarrje është jashtëzakonisht e dëmshme, sepse ky ndërrim i bordeve dhe drejtorëve parimisht nga ana ekonomike janë jo në rregull. Meqenëse në emër të kësaj mirëqeverisjes si LVV dhe LDK që e kanë bërë ndërrimin e bordeve vetëm mund t’i bëhet një pyetje akterëve politike se është ndryshuar më mirë apo më keq tash e tutje. Për fat jo të mirë janë edhe më keq sepse në momentin që bëhet që bëhet ky ndryshim arbitrar dhe i shpejtë ata njerëz nuk mund as ta njohin atë problematikë, sepse për fat jo të mirë caktimi në borde nuk po shkon nga ana e profesionalizimit, por vetëm është qëllimi të vendosen njerëzit apo përkrahësit e këtyre subjekteve politike në njëfarë mënyre të shuhen kërkesat e tyre”, theksoi Kadriaj.

Qeveria e Kosovës shkarkoi katër borde të Përkohshme të Drejtorëve, atë të KRU “Prishtina”, NPH “Ibër – Lepenc”, KEK-ut dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, Prizren.

Kujtojmë që edhe qeverisja e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti kishte shkarkuar bordet e shumë ndërmarrjeve publike në vend./KP/

Exit mobile version