Telegrafi

Shimpanzetë më të mirë se njerëzit në lojën e kujtesës

"Askush nuk ka mundur as ta imagjinojë që shimpanzeja pesëvjeçare do të arrinte të mundte njerëzit në kujtesën afatshkurtër", ka thënë Tetsuro Matsuzawa, hulumtues i aftësive mentale të shimpanzeve në universitetin Kyoto dhe ka shtuar se ka mbetur i befasuar me rezultatet e hulumtimit.

Një test i kujtesës ka përfshirë tri shimpanze të moshës pesëvjeçare të cilat më parë janë mësuar të njohin renditjen e numrave arabë prej 1 deri në 9 dhe dhjetëra studentë vullnetarë. Në ekranin e kompjuterit të ndjeshëm në prekje janë shfaqur numrat e thjeshtë, pasi që është prekur numri 1 numrat tjerë janë shndërruar në katrorë të bardhë, e testi ka qenë që të preken katrorët sipas radhitjes së njëjtë sikurse kur janë shfaqur numrat.

Rezultatet kanë dëshmuar se, shimpanzetë, edhe pse nuk kanë qenë më të sakta se njerëzit, kanë qenë shumë më të shpejta. Njëra shimpanze është dalluar dukshëm, Ayumu, e cila më pastaj ka zgjedhur testin edhe me nëntë persona tjerë.

Kësaj radhe, pesë numra janë shfaqur shumë shkurt në ekran pas së cilëve janë shfaqur katrorët e bardhë dhe prapë, procedura ka qenë e njëjtë, si edhe rezultatet – 80 për qind të përgjigjeve të sakta si te shimpanzeja ashtu edhe tek njerëzit.

Testi i cili ka “gjunjëzuar” njerëzit ka qenë shumë i ngjashëm me atë të mëparshmin, mirëpo kësaj radhe numrat janë shfaqur vetëm në dy të dhjetat e sekondës, ku përqindja e suksesit të shimpanzesë edhe më tutje ka qenë 80 për qind, derisa njerëzit mezi kanë arritur 40 për qind.