Nuk do të ketë ende një vendim për masën ndaj të akuzuarve për dhunën në Borizanë, pas ekspertimit që parathoshte një lehtësim të mundshëm të akuzave ndaj pjesëtarëvete fisit Rraja.
Prokuroria ka kërkuar një riekspertim të dytë. Në çdo rast, cilido që të jetë ekspertimi mjekoligjor ndryshimet e reja të Kodit Penal parashikojnë dhe seancën me gjyqtarin paraprak, i cili mesa duket do të jetë hallka e fundit nëse Rrahja brutale e dy pjesëtarëve të familjes Maja, të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Në historikun e Prokurorisë shqiptare, përgjithësisht ekspertimet mjekoligjore, kanë shërbyer si vulë e ngritjes së akuzës apo dhe pushimit të mjaft dosjeve, ndërsa në rastin konkret mjekësia ligjore ka kategorizuar se dëmtimet dhe plagët mbi të dhunuarit nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën. Por ndryshimet e reja ligjore parashikojnë se edhe nëse prokuroria do të çonte një akuzë si ajo e plagosjes së lehtë me dashje kompetencat e gjyqtarit të seancës paraprake janë të qarta.
Në dispozitë në pikën B është përcaktuar se kur gjyqtari i seancës paraprake çmon se hetimet janë të paplota ia kthen aktet prokurorit dhe përcakton veprimet që duhet të kryhen si dhe afatin brenda, të të cilave duhet të përfundojnë. Për më tepër, mund të vendosë kthimin e akteve prokurorit, duke e urdhëruar që të formulojë akuzë dhe të paraqesë kërkesë për gjykimin e çështjes.
Kompetencën për të vendosur pushimin e çështjes penale dhe kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq e ka gjyqtari i seancës paraprake, në ndryshim nga sa më parë ku kompetenca për të vendosur mosfillimin, pushimin dhe dërgimin në gjyq të një çështjeje, ishte ekskluzive e prokurorit të çështjes dhe më pas gjykonte gjyqtari i themelit. Sot, prokurori nuk e ka më këtë të drejtë, kjo kompentencë i ka kaluar gjyqtarit të seancës paraprake, i cili nëse konstaton se hetimet janë të plota dhe të gjithanshme dhe cilësimi juridik që i është bërë faktit nga prokurori nuk është i drejtë, merr vendim për hetime të mëtejshme. Teksa pritet akti i riekspertimit do të mësohen lëvizjet e prokurorisë dhe nëse do të ketë akuzë të re do të jetë vetëm plagosja apo dhe armëmbajtja pa leje. /Telegrafi/