Nga data 4 deri 6 dhjetor në Prishtinë mbahet “Java e CEFTA”-së, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas njoftimit, ky takim shënon përmbylljen e suksesshme të Kosovës me Marrëveshjen e CEFTA-së.
“‘Java e CEFTA’-së shënon përmbylljen e suksesshme të Republikës së Kosovës me Marrëveshjen e CEFTA-së. Hapja e ‘Javës së CEFTA’-së do të bëhet nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, udhëheqësi i Njësisë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, David Cullen, zëvendëssekretari i përgjithshëm i RCC-së, Gazmend Turdiu dhe kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Në ditën e parë, pra me 4 dhjetor, do të zhvillohen tre sesione në fushën e tregtisë në shërbime, lehtësimit të tregtisë dhe operatorëve të autorizuar ekonomik. Ndërsa, më 5 dhe 6 dhjetor do të zhvillohen diskutime të mbyllura.
Panelistët e sesioneve do të jenë përfaqësues nga institucione ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë, UNCTAD, Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, Banka Botërore/IFC dhe GIZ.
Gjithashtu, disa nga vendet e CEFTA-së dhe disa kompani vendore do të jenë pjesë e paneleve.
Vendi i takimit do të jetë në hotel ‘Emerald’ me datë 4 dhjetor, duke filluar nga ora 09:30 deri 17:00.
Kujtojmë se Kosova sivjet për të dytën herë radhazi që nga antarësimi ka kryesuar CEFTA-në. /Telegrafi/