Site icon Telegrafi

Shefja e UNMIK-ut në KS të OKB-së: Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë

Në raportin e saj gjashtëmujor për Kosovën para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka adresuar ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “incident shumë serioz i sigurisë”.

Ziadeh ka bërë thirrje për drejtësi dhe ka kërkuar që përgjegjësit e kësaj agresioni të dalin para organeve kompetente.

“Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë,” ka thënë Ziadeh.

“Kjo është jo vetëm një çështje gjyqësore, por edhe një domosdoshmëri politike, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.”

Në vijim të raportit të saj, Ziadeh ka argumentuar se një nga zgjidhjet për problemet e sigurisë me të cilat përballet Kosova është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili pritet të adresojë sfidat e sigurisë për komunitetin serb, përfshirë çështjet më të gjerë të administrimit lokal.

“Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh”.

“Implementimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një prioritet i madh. Është thelbësore që të dyja palët të angazhohen në zbatimin e tyre në mënyrë që të krijojnë kushte për parandalimin e krizave të ardhshme,” ka theksuar ajo.

Duke u ndalur në nevojën për angazhim të palëve të interesuara, Ziadeh ka përmbyllur fjalimin e saj me një thirrje për veprim të koordinuar dhe për vazhdimin e dialogut në frymën e marrëveshjeve ekzistuese./Telegrafi/

Exit mobile version