Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar këtë të martë me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për situatën në veri.
Pas takimit, Davenport ka thënë se e mbështesin fuqishëm thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin e situatës si dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithpërfshirëse në komunat veriore të Kosovës.
“Me Miroslav Lajçak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fuqishme për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore”, ka shkruar ai në Twitter.
Davenport ka theksuar se OSBE-ja do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet.
Ndryshe, Lajçak po qëndron në Kosovë që nga e hëna, bashkë me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për të diskutuar rreth situatës aktuale dhe për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e tensioneve në veri./Telegrafi/
With @MiroslavLajcak today emphasised importance of progress in EU-facilitated Dialogue & full participation of all communities in institutions & elections – @OSCEKosovo
stands firmly alongside @NATO_KFOR & @EULEXKosovo in fulfilling our respective mandates in #Kosovo 1/2— Michael Davenport (@DavenportOSCE) June 6, 2023