Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dhuruan 37 mjete të mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuar, Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Mjetet e blinduara të markës International MaxxPro MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), do të përdoren nga strukturat e Forcave tona të Armatosura, të cilat janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Leyla Moses-Ones dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.
Ajo falënderoi qeverinë e SHBA-së, për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për vendin si dhe vlerësoi si të rëndësishëm dhurimin e 37 mjeteve të blinduara, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe performancën e Forcave të Armatosura.
“Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri si për vendin tonë ashtu edhe për aleancën. Armatimi i ri sipas standardit të NATO, paketa e re e automjeteve te blinduara HMMËV dhe MRAP që po ju shtohen inventarit të pajisjeve të FA-ve, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve tanë si dhe po rrisin dita –ditës performancën e tyre, gjatë ushtrimit të detyrave në teatrot e operacioneve ku marrin pjesë”, ka thënë ajo.
E ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones e cilësoi dhurimin e mjeteve të blinduara si ndihmë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Aleancën.
Ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe lidershipin aktual të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes.
“Është me të vërtetë një kohë emocionuese për të qenë ushtar, marinar ose pilot në Forcat e Armatosura shqiptare. Ne ju falënderojmë për angazhimin tuaj për modernizimin e FA. Për angazhimin tuaj për të arritur 2% në shpenzimet për Mbrojtjen dhe për angazhimin tuaj të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes ndaj Aleancës”, u shpreh Moses-Ones .
Ndërkaq, 37 mjetet e blinduara dhuruar së fundmi, janë pjesë e paketës së ndihmës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcat tona të Armatosura.
Mjetet e mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara, kanë një ekuipazh prej 3-7 ushtarakësh. /Telegrafi/