Site icon Telegrafi

SHBA dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB

Mediat amerikane raportojnë se 12 diplomatë rusë me mision në Kombet e Bashkuara, janë urdhëruar të largohen nga Shtetet e Bashkuara.

Atyre u është dhënë afat që deri më 7 mars të largohen nga Shtetet e Bashkuara, e këtë e ka konfirmuar edhe emisari i posaçëm rus në Kombet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.

Vassily Nebenzia u tha gazetarëve se Rusia do të përgjigjet ndaj kësaj lëvizje, “pasi është bërë një praktikë diplomatike”.

Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se dëbimi i tyre vjen si rezultat i aktiviteteve të tyre që nuk kishin fare të bëjmë me diplomacinë.

“Këta diplomatë të cilëve u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, kanë qenë të angazhuar në aktivitete që nuk ishin në përputhje me përgjegjësitë e tyre diplomatike”, tha zëvëndës-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Mills.

Zyrtarët amerikanë madje kanë shpjeguar më vonë se diplomatët rusë “kanë keqpërdorur privilegjet e tyre” – duke u marrë me spiunazh që është e dëmshme për sigurinë kombëtare – duke kërkuar dëbimin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version