Site icon Telegrafi

Shahini: Interesi i lartë i bankave në Kosovë një prej shkaktarëve të mbylljes së shumë bizneseve

Kamatat e larta të bankave po dëmtojnë bizneset në Kosovë. Sipas një analize që ka bërë Aleanca Kosovare e Bizneseve, rreth 25 për qind e bizneseve që kanë mbyllur veprimtarinë e tyre kanë qenë si pasojë e pamundësisë për t’i kthyer kreditë me kamata të larta.

Statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se në muajin janar të këtij viti, norma mesatare e interesit në kredi të reja ishte 6.7 për qind.

Interesi i lartë i bankave në Kosovë ka qenë një prej shkaktarëve të mbylljes së shumë bizneseve, duke kaluar nga biznesi komercial në asistencë sociale. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Sipas një analize që kemi bërë në vitin 2017, 25 për qind e bizneseve të mbyllura kanë qenë për shkak të bankave përkatësisht vështirësive financiare apo interesit të lartë që nuk kanë mundur t’i kthejnë kreditë e që iu është marrë hipoteka dhe këto kanë kaluar nga një biznes komercial në asistencë sociale”, tha Shahini.

Sipas tij, kamatat e larta po vazhdojnë të dëmtojnë rëndë edhe qytetarin. Por, sipas tij, kjo ka bërë që edhe investitorët e huaj të hezitojnë të vijnë në Kosovë.

Një nga shkaktarët që investitorët e huaj hezitojnë të vijnë në Kosovë janë edhe kamatat e larta të bankave, sepse një investitor i perëndimit e ka interesin 1 për qind në vend të tij e në Kosovë deri në 10-të.

E një ndër biznesmenët më të mëdhenj në Kosovë, Shaqir Palushi, i ka thënë Radio Kosovës se edhe pse për dallim prej viteve të kaluar në këtë periudhë kamatat janë më të favorshme, por, prapë se prapë mbesin më të lartat në rajon.

“Një pjesë të fajit të mos zhvillimit ekonomik në vendin tonë mund ta kenë bankat komerciale, përkatësisht kamatat shumë të larta të tyre. Në raport me vitet e kaluara sigurisht këto kamata janë shumë më të favorshme, por prapë po vazhdojnë të jenë të larta duke marrë parasysh në radhë të parë kamatat investive për investime në teknologji”, tha Palushi.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, në një përgjigjeje me shkrim i ka thënë Radio Kosovës se normat e interesit në kredi kanë vazhduar të ndjekin trendin e rënies. Kjo tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.

Sipas Ahmetit, në muajin janar të këtij viti, norma mesatare e interesit në kredi të reja ishte 6.7 për qind. /Radio Kosova/Telegrafi/

Exit mobile version