Netflix ka njoftuar se seriali i popullarizuar horror fantastiko-shkencor, “Stranger Things”, po thyen rekorde vlerësimesh dhe se sezoni i kaluar ishte më i shikuari në 83 vende të botës.
Fansat e serialit kanë pritur më shumë se dy vjet për sezonin e fundit, kështu që nuk është çudi që shumë prej tyre kanë numëruar me padurim ditët deri të premten, 27 maj për t’i shikuar episodet e reja.
Që nga publikimi i episodeve të kaluara, “Stranger Things 4 – Volume 1” jo vetëm që e ka ngritur këngën klasike të vitit 1985, “Running Up That Hill”, deri në majat e listave të iTunes, por gjithashtu ka thyer disa rekorde shikimi, madje duke tejkaluar një tjetër hit të Netflixit në garën për numrin maksimal të orëve të shikimit.
Pas publikimit të sezonit të dytë të “Bridgerton” në muajin mars, numri i orëve të shikimit të serialit arriti në 193 milionë. Megjithatë, Netflix tregoi se “Stranger Things – Volume 1” është shikuar 286.79 milionë orë deri më tani.
Platforma e transmetimit vuri në dukje gjithashtu se sezoni ishte i pari që arriti numrin një në 83 vende të ndryshme.
Netflix me siguri do të mirëpresë suksesin e “Stranger Things”, pasi kompania pësoi një goditje të rëndë në prill kur humbi 50 miliardë dollarë në vetëm 24 orë pasi raportoi humbjen e parë të abonuesve brenda 10 vitesh.
Pjesa e parë e sezonit të katërt të serialit që thyen rekorde është aktualisht në dispozicion për t’u parë në Netflix, ndërsa fansat do të duhet të presin deri më 1 korrik për pjesën e dytë. /Telegrafi/