Telegrafi

Sezoni i korrje-shirjeve, Komuna e Kamenicës: Temperaturat e larta, qytetarët të kenë kujdes nga zjarret

Për shkak të temperaturave të larta në vend, Sektori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Kamenicës apelon qytetarët për kujdes të shtuar dhe mbrojtje nga zjarret.

Në një komunikatë të komunës thuhet se për shkak të temperaturave të larta është i dukshëm rreziku për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.

“Sektori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Kamenicës njofton të gjithë qytetarët se pasi që jemi duke u përballur me temperatura të larta është i dukshëm rreziku për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore”, thuhet në komunikate, derisa theksohet se pasi është koha e korrjeve, mundësia e zjarrëvënies së hamulloreve dhe barishteve të thara është më e madhe.

“Lidhur me këtë me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, ambientit, florës dhe faunës së Komunës së Kamenicës, APELOJMË tek të gjithë qytetarët, Institucionet Publike dhe Private që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit”, thuhet tutje në njoftim.

Përveç thirrjes për kujdes të shtuar, kërkohet nga qytetarët që për çdo rast të zjarri, të lajmërohen me kohë në numrin e Zjarrfikësve 193.

“Ndër të tjera, kërkojmë nga qytetarët që për çdo rast të zjarrit të lajmërohen me kohë, si dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit në fazën e parë të shfaqjes kudo që ai mund të paraqitet. Lajmërimi mund të bëhet pa pagesë në numrin e Zjarrfikësve 193”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/