Forca të shumta paramilitare serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 1998.
Më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti, pas një rezistence të hekurt, u vra Komandanti legjendar Adem Jashari, me 58 familjarë e të afërm të tij, përfshirë fëmijë, gra e pleq.
Janë mbushur 26 vjet që nga ky sulm. Por, për ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, ende nuk ka aktakuzë, ndonëse Prokuroria Speciale thuhej se kishte filluar hetimet qysh në vitin 2019.
Ishte ish-prokurorja speciale Drita Hajdari e cila kishte deklaruar se në 2019 kishin filluar hetimet dhe se ishin në fazën e grumbullimit të provave.
“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, kishte deklaruar ajo në media.
E kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Hajdari tha se meqenëse më nuk është prokurore, s’ka kompetencë të përgjigjet lidhur me këtë temë.
Por në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se s’ka shumë kohë që janë hapur hetimet zyrtarisht.
“Kanë fillu, nuk është kohë e gatë kur zyrtarisht, por po, ka. Veç muj me konfirmu që i kemi hetimet e aktivizume me vendim, por kurgjo ma shumë”, tha Isufaj.
Se kur kanë filluar këto hetime dhe nëse ka pasur pezullime në ndonjë periudhë, nuk është përgjigjur as prokurori i rastit, Valdet Gashi.
Edhe në marsin e kaluar, që shënonte 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), PSRK nuk ishte përgjigjur se kur kanë filluar dhe se në çfarë faze ishin hetimet.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, afatet kohore të hetimeve janë deri në dy vjet, por që me kërkesë të prokurorit, ky afat mund të zgjatet edhe për një vit, pra në total tre vjet.
Mirëpo, Kodi parasheh edhe disa rrethana kur mund të pezullohen hetimet.
Nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga ndonjë çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë;
Nëse është arratisur;
Nëse është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare ose ekzistojnë rrethana të tjera objektive në zhvillimin e hetimeve të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit.
Koha derisa hetimi është pezulluar, nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.
Në vitin 2016, Prokuroria Speciale kishte themeluar një Departament të Posaçëm për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga prokurorët vendorë. Para themelimit të tij, rastet më herët ishin hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Për krime makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje, ndër to edhe masakra ndaj familjes Jashari.
Ndaj, familjes Jashari ishin kryer tri sulme nga forcat paramilitare serbe. Nga të dhënat, më 30 dhjetor 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari.
Sulmin e dytë, forcat paramilitare serbe e kishin kryer më 22 janar 1998. Edhe kësaj beteje, familja Jashari i kishte rezistuar.
Mirëpo, në këto luftime kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Sulmit të marsit i kishte shpëtuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5- 6 mars të largohet nga rrethina si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Në këtë sulm janë vrarë 22 anëtarë të ngushtë bashkë me Komandanti legjendar Adem Jashari, banorë të fshatit Prekaz edhe mysafirë të Kullës së Jasharëve.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin e publikuar në shtator të vitit 2020 me titull “Amnistia e krimeve të luftës në Kosovë”, ka pasqyruar kronologjikisht hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Republikën e Kosovës ku ishin trajtuar edhe sukseset dhe dështimet e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që kanë pasur dhe kanë kompetenca në fushën e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.