Përtej fushatës për pengimin e njohjeve për Kosovën, shteti i Serbisë po vazhdon edhe me kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës. Për pasojë, kohët e fundit ka pasur edhe dorëheqje të policëve serbë. Këtë situatë, njohësit e çështjeve të sigurisë e shohin si shqetësim serioz.
Janë mbi 400 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në muajin korrik iu bashkuan këtij institucioni të sigurisë.
Në mesin e të diplomuarve si policë, ishin edhe 46 pjesëtarë nga komuniteti serb të cilët do të shërbenin në veri të Republikës. Këta policë të rinj u patën shpërndarë në komunën e Mitrovicë së Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Por numri i tyre tashmë ka rënë në 39, dukë dhënë dorëheqje nga ky mision. Dhe krejt kjo për shkak të presionit dhe linçimit të vazhdueshëm të Serbisë.
Dorëheqjen e policëve serbë, njohësit e çështjeve të sigurisë e shohin shumë shqetësim serioz.
Fatmir Çollaku thotë se ky është skenar i shtetit serb, që policë nga ky komunitet të mos ketë në veri të Kosovës.
“Fatkeqësisht këta individ po janë të kërcënuar të shantazhaur dhe këto informacione i kemi edhe tashmë publike dhe janë në vija personale meqë jam në kontakt me policë dhe janë informata burimore që ata të rinj e të reja kërcënohen, kërcënohen edhe familjet e tyre dhe është shqetësim serioz”, tha Fatmir Çollaku, njohës i çështjeve të sigurisë.
Ndonëse ky presion i Serbisë mbi policët serb në Kosovë është dënuar nga SHBA dhe vendet e Kuintit, për njohësin tjetër të sigurisë, Nuredin Ibishi, nuk është e mjaftueshme.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet me veprime konkrete ta parandalojë Serbinë.
“Tash kemi diku një numër të vogël por të konsiderueshëm në kuptim të asjë që për mundësi kthimit në komunitetit serb në PK, dhe fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare dhe lidershipi i Kosovës jo vetëm me deklarat po edhe në mënyrë konkrete që ndërmerr masa”, tha Ibishi, për RTK.
Në lidhje me dorëheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, kanë reaguar SHBA dhe BE, si dhe krerët me të lartë shtetëror të Kosovës.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.
Edhe Bashkimi Evropian përmes një deklarate publike të mërkurën, është shprehur i shqetësuar lidhur me dorëheqjen e disa pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës, të cilët ishin rekrutuar së fundmi nga ky institucion.