Site icon Telegrafi

Serbia tha se pranon targat RKS në territorin e saj, si komentohet kjo nga analistët në Kosovë?

Nga 1 janari 2024 veturat me targa RKS do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Serbisë. Kështu njoftoi të hënën Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Marrëveshja për njohjen e targave ishte arritur në Bruksel para disa vitesh, por që deri tani nuk ishte zbatuar nga pala serbe.

Analistët në Kosovë vlerësojnë se Serbia ka përmbushur obligimin që ka pasur, ndërsa ngritin dyshimet se tashmë shteti serb do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të zbatohet Asociacioni.

Analisti Gazmir Raci në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se ky veprim i shtetit serb mund të quhet si njohje de-facto, pasi që po pranon simbolet e Kosovës.

“Ka përmbushur obligimin, pasi janë bërë 5 vjet që nuk i ka zbatuar. Serbia është në dizavanatazh sa i përket obligimeve dhe tash po i kryen obligimet që i ka pasur që shumë vite. Kjo është njohja de-facto që shumë njerëz nuk kanë besuar. Duke i njohur simbolet RKS- është njohje më shumë se de-facto është de-juro. Pra e pranon Republikën e Kosovës me hyjë në Serbi me flamur, kjo është një arritje shumë e madhe”, tha ndër tjera ai.

Raci potencon se pranimi i tabelave RKS ndikon pozitivisht në përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Analisti Gazmir Raci

Ndërsa, analisti tjetër Dritëro Arifi thotë se ky veprim i Serbisë ka qenë i pritur, megjithatë ai shton se ky veprim nga pala serbe është bërë me qëllim që të përfitojnë më shumë.

“Unë mendoj që vendimi i Qeverisë së Serbisë ka qenë i pritur, sepse në një farë forme Serbia e ka pranuar marrëveshjen e planit franko-gjerman dhe kjo është ajo forma e heshtur kinse ne po pranojmë, dhe komuniteti serb në Kosovë të mos ketë problem etj. Kjo është një farë forme nxitje e veprimit të Perëndimit që tash presionin më të madh ta bëjë në Kosovë. Pra, Serbia ka bërë një veprim të vogël, për me fitu një veprim më të madh”,deklaroi ai.

Arifi shtoi tutje se “Serbia ka bërë një autogol që të na bëjë neve gola, dhe presioni tash do të jetë të zbatohet Zajednica”.

“Në një farë forme pe shoh pozitive, por që tashmë presioni do të bie mbi palën kosovare të pranojë tabelat pa stikera. Por, nuk është vetëm aty, por është një lojë më e madhe që nga ne kërkohet të zbatohet plani franko-gjerman së bashku me aneksin e Ohrit”, theksoi ai.

Analisti Dritero Arifi

Duke komentuar veprimet e shtetit serb, Arifi konstaton se pala kosovare po bënë gabim që po përmend luftë.

“Pranimi i tabelave është përgjigja më e mirë nga Serbia, megjithatë ata do të krijojnë problem të vogla në veri të vendit, por megjithatë kjo është përgjigje diplomatike që ju po flisni për luftë e ne po pranojmë marrëveshjet. Serbia do ta detyrojë Perëndimin të pranojë disa ‘lëshime’, vetëm të mos ketë incidente, ne kemi gabuar që po pranojmë termin luftë, pasi Serbia dëshiron ta përdorim ne këtë. Por, Serbia nuk e ka qëllimin të bëjë luftë sidomos kur është NATO në Kosovë”, theksoi ai.

Vendimin për njohjen e targave të Republikës së Kosovës e ka mirëpritur edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se BE mirëpret vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat RKS, të lëshuara nga Kosova.

Stano në një postim në X thekson se ky është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dhe në zbatimin e angazhimeve që janë marr në kuadër të dialogut, e që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes.

“Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Është gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi të Ballkanit Perëndimor në BE, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit.

Lexo po ashtu BE mirëpret vendimin e Serbisë për t’i njohur targat e Republikës së Kosovës – RKS, pret që Kosova të veprojë njëjtë  

Ndryshe, Petkoviq të hënën deklaroi se pranimi i targave po bëhet me qëllim që të lehtësohet lëvizja e individëve.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Kosovë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje apo shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e qeverisë së Serbisë.

Lidhur me vendimin e qeverisë serbe, Telegrafi ka tentuar të marrë edhe një koment nga qeveria e Kosovës, por që deri tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje./Telegrafi/

Exit mobile version