Telegrafi

Serbët në veri do të protestojnë sot

Komuniteti serb në veri të vendit ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste të qetë të mërkurën (sot) në Mitrovicën Veriore.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se për këtë protestë është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi ‘Car Lazar’. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha të martën se pret nga KFOR-i që ta kontrollojë situatën nesër tek Ura e Ibrit, pasi sipas tij, Agim Bahtiri me urdhër të Kurtit, ka organizuar kundërtubim ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës.

Kurti përmes platformës sociale “X”, ka akuzuar Vuçiqin për përhapjen e dezinformatave me qëllim krijimin e një atmosfere frike dhe për nxitjen e reagimit të KFOR-it në Mitrovicë.

Lexo po ashtu Kurti: Vuçiq po përhap dezinformata se shqiptarët do të mblidhen te ura e Ibrit, synon të shkaktojë tensione

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përsëritur të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/