Site icon Telegrafi

Senatorja amerikane: Mbështesim aspiratat e Kosovës në NATO dhe BE

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.

Ajo ka falënderuar Kosovën për strehimin e shtetasve afganë.

Senatorja Shaheen po ashtu tregoi për vizitën që kanë realizuar te busti i ish-sekretares së Shtetit Madeleine Albright.

“Ne e vlerësojmë historinë dhe përkujtimin tuaj për ish-sekretaren tonë Madeleine Albright. Patëm rastin ta shohim statujën ku është ngritur. Ne patëm një takim me një të moshuar, i cili dëshiroi ta na sqarojë se sa e rëndësishme ishte Albright për vendin tuaj”, tha ajo.

Më tej, senatorja Shaheen tha se janë informuar nga forcat amerikane për situatën e sigurisë në rajon gjatë vizitës në kampin Bondsteel.

“Këtu jemi si pjesë e miqësisë që ka SHBA, sepse i kemi vlerat dhe përkushtimin për të ardhmen e këtij vendi. I mirëpresim aspiratat e këtij vendi për të qenë pjesë e NATO-s. Gjithashtu dëshirojmë të shprehim përkrahej tonë për aspiratat tuaja për të lëvizur drejt BE-së. Natyrisht që i ndajmë edhe shqetësimet tuaja për rajonin. Dhe një prej arsyeve që shkuam në Bondsteel ishte që të njoftohemi edhe nga forcat amerikane atje, të cilat janë pjesë e NATO-s. Mendojmë se janë të rëndësishme për të mbajtur sigurinë e vendit dhe rajonit”.

“Natyrisht vlerësojmë shumë punën që e bëjnë ata atje. Mirëpresim mundësinë për të punuar bashkërisht edhe më tej, për të shkëmbyer idetë, sfidat me të cilat përballemi të gjithë, përderisa vazhdojmë në këtë mjedisin e sigurisë me të cilin po përballemi në Evropë, me atë që po ndodh në Ukrainë dhe me agresionin e Rusisë. Nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe të shohim që ka marrë fund sa më shpejt që është e mundur”, tha ajo.

Tre senatorët amerikanë Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, kanë ardhur në Kosovë nga Sarajeva, pasi kanë përfunduar vizitën në Beograd.

Ata gjatë ditës do të takohen edhe me kryeministrin Albin Kurti. KP/Telegrafi/

Exit mobile version