Site icon Telegrafi

Sekreti i gjenisë McCartney: Gjithçka ka të bëjë me basin!

Nga: Neil Mccormick / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Paul McCartney e popullarizoi bas-kitarën Hofner, jo anasjelltas. Në të vërtetë, basistët ai i bëri atraktivë, duke ua dhënë statusin që ishte pothuajse i barabartë me atë të kitaristëve kryesorë në rok muzikë. Kjo është arsyeja se pse kërkimi i ri global për instrumentin e McCartneyt të vitit 1961, Hofner 500/1 Violin Bass – basin më të rëndësishëm në historinë e muzikës, që u zhduk më vonë në atë dekadë – po ngjall një interesim të madh.

Para McCartneyt, thjesht nuk ishte asnjë basist i famshëm. Muzikantët yje – nëpër grupe – ishin këngëtarët dhe nëse ata gjithashtu luanin ndonjë instrument, pa ndryshim që ishte kitara ose piano. Basisti ishte pjesë e seksionit të ritmit, i lidhur fort me bateristin përmes instrumentit me katër tela që konsiderohej gjerësisht (jo pak në mesin e muzikantëve) si lidhje e dobët me kitarën me gjashtë tela.

Ironikisht, McCartney (i cili filloi si njëri prej tre kitaristëve në The Beatles) e merr punën e basistit, sepse padyshim që ishte muzikanti më i arrirë në grup dhe se ishte në gjendje që të futej në rol (megjithëse disi me ngurrim) atëherë kur largohet basisti i parë Stuart Sutcliffe. Ajo që ai solli ishte imagjinata muzikore dhe shkathtësia që zgjeroi mundësitë e instrumentit, duke vënë në pah aftësinë mbresëlënës të të kënduarit, teksa njëkohësisht luante në linjat komplekse të basit. Kjo ende është gjë relativisht e rrallë në muzikën popullore, megjithëse pas McCartneyt erdhën emrat si Jack Bruce në Cream, Geddy Lee në Rush dhe Stingu.

McCartney u bë i famshëm kryesisht si yll me flokë të gjatë, me karakter dhe diapazon të jashtëzakonshëm vokali i cili gjithashtu luante në bas. Mëngjarash! Pamja e këtij bitëllsi të ri seksi që tund basin e tij të lezetshëm në formë violine teksa këndonte, duke bërtitur “ooohs” në “She Loves You”, ose duke interpretuar me shkathtësi në një linje basi teksa kërcente pa mundim me “All My Loving”, e ndryshoi përgjithmonë statusin e bas-kitarës.

McCartney e bleu basin Hofner Scott 500/1 sepse ishte i lirë dhe për shkak se trupi i tij simetrik, në formë violine, dukej elegant me kokën poshtë dhe përshtatej për dorën e tij të majtë (shumica e bas-kitarave dukeshin të çekuilibruara). Hofner-i është i gjithi me tonalitet të mesëm, me pak thellësi dhe pa rezonancë apo sustejn, dhe telat duhet t’i prekesh fort me dridhëse për ta nxjerrë një tingull interesant prej tij. Por, kufizimet e instrumentit e ndihmuan McCartneyn të zhvillonte një stil të veçantë.

Basi i tij vazhdimisht u përdor nëpër këngët e hershme të bitëlsave. Ndërsa, Hofner-i në mënyrë të pashlyeshme është i lidhur me McCartney-n dhe i vetmi vend ku ka të ngjarë të shihni një të tillë është te grupet që interpretojnë këngët e viteve gjashtëdhjetë dhe te vetë McCartney. Asnjë basist tjetër i shquar nuk e ka marrë atë, madje edhe McCartney në regjistrimet e mëvonshme të grupit, shpeshherë e ndërronte atë Rickenbackers dhe Fender Jazz.

Gjithsesi, ai e “kall” Hofner-in në performancën e fundit live të The Beatles, në kulmin e shtëpisë së tyre diskografike Apple, në vitin 1969. Gjithçka që është e mrekullueshme me këtë basë dhe McCartneyn, shihet aty. Në duart e McCartney-t, basi pushoi së qeni instrument mbështetës dhe u bë yll më vete. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version